Mbi 400 kg kokainë nga Brazili në Kosovë përmes Durrësit, gazetari: Dy të arrestuar në Lipjan

schedule19:14 - 17 Maj, 2021

schedule 19:14 - 17 Maj, 2021

Në orën 19:30 në Prishtinë policia e Kosovës do të japë informacionin zyrtar në lidhje me operacionin ku ditën e sotme në Lipjan u sekuestruan mbi 400 kg kokainë që ishte nisur nga Brazili dhe që kaloi tranzit në Durrës.

Gazetari i T7 në Prishtinë, Fidan Zejnullahu u shpreh në një lidhje me Radarin Informativ në ABC se deri tani janë arrestuar 2 persona, por detajet do të jepen pas pak minutash.

“Aksioni ka marrë disa muaj hetime nga DEA dhe Italia. Këta të fundit lajmëruan Kosovën për një kamion që ndodhej në portin e Durrësit. Policia e Kosovës finalizoi sot këtë operacion.

Kamioni qëndroi disa ditë në Durrës dhe u la qëllimisht të vazhdojë për të mësuar destinacionin, që doli që të jetë komuna e Lipjanit.

Policia ka arrestuar 2 persona” tha gazetari duke theksuar se ky është ndër operacionet më të mëdha të realizuar nga policia e Kosovës përsa i përket sasisë së kokainës së sekuestruar.

Në orën 19:30 në Prishtinë së bashku me autoritetet e Kosovës në konferencën për mediat do të jetë edhe një përfaqësues i SPAK-ut, prokurorisë Speciale në Shqipëri, por edhe zyrtarë të Italisë./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!