Mbi 1 mijë të mitur vdesin çdo vit nga ndotja e ajrit në Europë

schedule10:35 - 24 Prill, 2023

schedule 10:35 - 24 Prill, 2023

Ndotja e ajrit shkakton vdekjen e parakohshme të të paktën 1200 fëmijëve dhe adoleshentëve çdo vit në Europë, sipas një raporti të Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA) të publikuar të hënën.

Ashtu si për të rriturit, ndotja e ajrit është rreziku kryesor për shëndetin e të miturve, duke ndikuar në jetëgjatësinë e tyre.

Studimi mori në shqyrtim mbi 30 vende, përfshirë 27 vendet anëtare të BE-së.

“Ndotja e ajrit shkakton më shumë se 1200 vdekje të parakohshme në vit (në grupmoshën) nën 18 vjeç në Europë dhe rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve” për të miturit, thekson EEA në raportin e saj.

“Pavarësisht progresit gjatë viteve të fundit, niveli i ndotësve kryesorë të ajrit mbetet i lartë pavarësisht rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, veçanërisht në Europën Qendrore dhe Lindore, si dhe në Itali”, thuhet në raport.

Disa vende në Europë, përfshirë Britaninë dhe Ukrainën nuk ishin pjesë e studimit, duke sugjeruar se numri i viktimave në kontinent ka të ngjarë të jetë edhe më i lartë, raporton abcnews.al.

Sipas një raporti tjetër, të publikuar nga EEA në nëntor, të paktën 238,000 njerëz pavarësisht moshës  vdiqën në vitin 2020 për shkak të ndotjes së ajrit në vendet anëtare të organizatës (BE, Norvegji, Zvicër, Islandë, Liechtenstein dhe Turqi).

Raporti i publikuar sot është i pari i EEA që fokusohet te të miturit. Megjithëse përqindja e fëmijëve dhe adoleshentëve të prekur nga ndotja e ajrit është “relativisht e vogël” në krahasim me popullsinë në tërësi.

EEA rekomandon fokusimin në cilësinë e ajrit rreth shkollave dhe çerdheve, si dhe objekteve sportive dhe transportit. Efektet e ndotjes fillojnë edhe para lindjes, pasi ekspozimi i nënës ndaj tij “është i lidhur me peshën e ulët të foshnjëve dhe lindjet e parakohshme”, thekson raporti.

Pas lindjes, ndotja e mjedisit rrit rrezikun e problemeve shëndetësore si astma,  e cila prek 9% të fëmijëve dhe adoleshentëve në Europë, problemet me frymëmarrjen dhe sëmundje të ndryshme të sistemit të frymëmarrjes, thekson gjithashtu EEA në raport.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!