Mbi 1 mijë emigrantë të nisur nga Libia për të arritur Europën kanë humbur jetën në ujërat e Mesdheut që nga fillimi i vitit. Duke publikuar të dhënat shokuese, UNHCR ka kritikuar Bashkimin Europian për mungesën e unitetit për zgjidhjen e çështjes.
Mbytjet e fundit në brigjet e Libisë e kanë çuar bilancin e viktimave që përpiqen të kalojnë Mesdheun në mbi 1 mijë, që nga fillimi i vitit. Duke publikuar të dhënat, UNHCR e ka cilësuar një shifër shokuese dhe ka bërë thirrje për një aksion ndërkombëtar të menjëhershëm për të shpëtuar jetët e njerëzve.
“Duke qenë se jemi në stinën e verës presim që numri i refugjatëve që do të përpiqen të kalojnë Mesdheun të rritet”, thuhet në një komunikatë të agjencisë së OKB-së me bazë në Gjenevë të Zvicrës.
Ndërkohë, në ujërat territoriale libiane janë rekuperuar të premten trupat e pajetë të 20 emigrantëve. Lajmin e ka bërë të ditur simotra e Kryqit të Kuq, Gjysmëhëna e Kuqe, përmes një njoftimi të publikuar online.
Shumica e viktimave, 15, janë rekuperuar në brigjet e qytetit të Homsit, ndërsa 5 të tjerët në molin e bazës ushtarake Abu Seta në Tripoli. Në vijim të njoftimit, UNHCR ka kritikuar Bashkimin Europian për mungesë uniteti dhe koherence për zgjidhjen e krizës së emigrantëve.
“Vendet e lidhura nga gjeografia, nga kultura dhe vlerat kanë qenë të ndara sa i përket çështjes së azilit dhe asaj të mbrojtjes së personave që u largohen luftrave”, thuhet në deklaratë.
Kjo sjellje e vendeve anëtare, sipas UNHCR, kulmoi me rastin e anijes “Aquarius”, një rast, që sipas saj, nuk duhet të përsëritet më./abcnews.al