Mbi 1 mijë mjekë britanikë kundër projektligjit për vdekjen e asistuar: Rrezik serioz për pacientët dhe mjekësinë

schedule12:36 - 9 Qershor, 2025

schedule 12:36 - 9 Qershor, 2025

Më shumë se 1,000 mjekë në Mbretërinë e Bashkuar i kanë dërguar një letër deputetëve të Parlamentit, duke i bërë thirrje të votojnë kundër projektligjit për vdekjen e asistuar, të cilin e cilësojnë si “një kërcënim real për pacientët dhe personelin mjekësor”.

Projektligji, i cili pritet të votohet për herë të fundit në Parlament më 20 qershor, parashikon t’u japë të drejtën pacientëve në fazën terminale në Angli dhe Uells të zgjedhin të ndërpresin jetën “me kushtet e tyre”, nëse pritet të jetojnë më pak se gjashtë muaj. Një projektligj i ngjashëm po shqyrtohet edhe në Parlamentin e Skocisë.

Në letrën dërguar deputetëve, mjekët shprehin shqetësime të thella dhe theksojnë se komuniteti mjekësor nuk është dëgjuar sa duhet në këtë debat.

Ndër firmëtarët janë emra të njohur të mjekësisë britanike, si Sir John Burn – gjenetist dhe drejtues kërkimesh për kancerin për dekada; Sir Shakeel Qureshi i nderuar për kontributin në kardiologjinë pediatrike; Profesorja Aileen Keel – ish-zëvendësshefe e mjekësisë në Skoci dhe Baroness Finlay, mjeke dhe pedagoge e kujdesit paliativ, si dhe anëtare e Dhomës së Lordëve.

Letra është firmosur gjithashtu nga katër mjekë me titullin OBE, dy me MBE dhe një me CBE – të gjitha dekorata të rëndësishme për shërbimin ndaj shtetit.

“Projektligji nuk është zgjidhja”

Në letrën e tyre, mjekët shprehen se, ndonëse është i nevojshëm një debat mbi kujdesin në fund të jetës, ky projektligj nuk është përgjigjja e duhur. Ata theksojnë se nuk është dëgjuar mjaftueshëm zëri i mjekëve, personave me aftësi të kufizuara dhe grupeve të tjera të margjinalizuara.

“Ky projektligj do të thellojë pabarazitë sociale, nuk garanton masa të mjaftueshme mbrojtëse dhe, në vlerësimin tonë të përbashkët, nuk është i sigurt”, thuhet në letër, ku projektligji cilësohet si “thellësisht i dështuar”.

Profesor Colin Rees, anëtar i grupit të punës për vdekjen e asistuar pranë Kolegjit Mbretëror të Mjekëve, e përshkruan atë si “ligji më i rëndësishëm në fushën e kujdesit shëndetësor në 50 apo 60 vitet e fundit”.

Ai shton se shumë mjekë, edhe ata që nuk janë kundër parimisht vdekjes së asistuar, janë të shqetësuar për përmbajtjen konkrete të këtij projektligji.

“Ne nuk mendojmë se është një projektligj i sigurt as për pacientët, as për familjet, as për vetë profesionistët e shëndetit”, tha Rees.

Rreziku i manipulimit dhe mungesa e mbrojtjes

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga mjekët është pamundësia për të identifikuar siç duhet pacientët e rrezikuar nga manipulimi apo presioni, veçanërisht gratë, viktimat e dhunës në familje dhe të moshuarit.

“Pacientët vulnerabël janë veçanërisht të rrezikuar nga presioni i të tjerëve”, thuhet në letër.

Gjithashtu, theksohet rreziku që individët që nuk kanë mundësi financiare për një vdekje të qetë apo për kujdes adekuat, të ndihen të detyruar të zgjedhin vdekjen e asistuar. Sipas një raporti të vitit 2024 nga organizata Dying With Dignity në Oregon, 9.3% e atyre që zgjodhën vdekjen e asistuar e bënë këtë për arsye ekonomike.

Parashikimi mjekësor shpesh i pasaktë

Letra ngre shqetësim edhe për saktësinë e parashikimeve mjekësore mbi jetëgjatësinë. “Studimet tregojnë se mjekët gabojnë në rreth 40% të rasteve kur bëjnë parashikime për jetëgjatësinë e pacientëve”, thuhet aty.

“Si rezultat, një pacient mund të zgjedhë të ndërpresë jetën, ndërkohë që mund të kishte edhe muaj apo vite të vlefshme jetese përpara.”

Rreziku për familjet dhe mjekët

Projektligji nuk kërkon që mjekët të informojnë familjarët për vendimet e pacientëve, gjë që, sipas mjekëve, mund të sjellë pasoja të dhimbshme për të afërmit.

“Njerëzit mund të mësojnë për vendimin e të afërmit të tyre vetëm kur të njoftohen për tërheqjen e trupit”, paralajmërohet në letër, ku shtohet se nuk ekziston asnjë mekanizëm për t’u ankuar apo kundërshtuar një vendim nga një i afërm.

Letra mbyllet me shqetësimin se presioni ndaj mjekëve për të përfshirë veten në vdekjen e asistuar do të rritet, siç ka ndodhur në vende të tjera, përfshirë Holandën – edhe nëse kjo bie ndesh me bindjet e tyre etike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!