ATHINË- Në orën 18:00 para ambasadës shqiptare në Athinë u zhvillua një protestë nga shoqata e ashtuquajtur e Himariotëve. Ky tubim vjen një ditë pasi SPAK vendosi të lërë në burg Fredi Belerin dhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, të cilët akuzohen për shit-blerje votash.
Gazetarja e ABC News, Linda Karadaku, nga Athina raporton se Policia e Greqisë i ka marrë të gjitha masat për të garantuar që tubimi të jetë paqësor.
Në terren kanë dalë Policia Kundër Trazirave dhe Policia e Patrullës së Përditshme, me qëllim garantimin e këtij tubimi, të thirrur nga mbështetësit e Fredi Belerit.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka tha një ditë më parë se kjo është një çështje ligjore dhe se Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo shtetas tjetër shqiptar dhe askush nuk është mbi ligjin.
Sipas saj, arrestimi i Fredi Belerit, i cili garonte për kryetar Bashkie të Himarës nën logon e Koalicionit “Bashë Fitojmë” nuk ndikon tek marrëdhëniet dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë./n.m.abcnews.al