“Mbështesim sovranitetin e Ukrainës”, Hasani me homologun ukrainas: Hapja e ambasadës tonë në Kiev, brenda këtij viti

schedule08:27 - 28 Shkurt, 2024

schedule 08:27 - 28 Shkurt, 2024

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka mbajtur një deklaratë për shtyp me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba para nisjes së samitit për Ukrainën që do të mbahet në Tiranë. Hasani theksoi se Shqipëria mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe planin 10 pikësh të Zelenskyt për paqen.

Hasani deklaroi se po punohet për të hapur ambasadën shqiptare në Kiev brenda këtij viti.

Fjala e plotë e Hasanit:

Nder i veçantë të kemi sot mes nesh në Tiranë pranishëm Ministrin Kuleba, Ministër i Jashtëm i Ukrainës, në një moment kur vendi i tij është nën një sulm të paprecedentë dhe të pajustifikuar që prej dy vitesh nga Federata Ruse.

Shqipëria mbështet sovranitetin, lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës.

Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe do të vijojë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë.

Shqipëria mbështet Planin me 10 Pika të Presidentit Zelenski, si mundësia më realiste për dhënien fund të luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Së bashku me aktorë dhe vende të tjera, kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e Pikës 5 që Ka të bëjë me  “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës.

Jemi në koordinim të plotë me të gjitha vendet tona partnere dhe aleate për përballimin e situatës në mbështetje të plotë për Ukrainën.

Për më tepër, Shqipëria e ka vendosur si përparësi të punës së saj trajtimin e situatës në Ukrainë dhe dënimin e agresionit rus, në të gjitha forumet ndërkombëtare, siç kemi bërë gjatë periudhës dy-vjeçare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, siç po veprojmë në kuadër të anëtarësisë tonë në KDNJ, apo edhe organizmat rajonale, ku këtë vit kemi edhe kryesimin e nismave të BSEC, CEI, Karta e Adriatikut.

Pas përfundimit të detajeve ligjore e financiare, jemi në fazën e përgatitjeve teknike për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Kiev, duke mbajtur në vëmendje edhe situatën e sigurisë në kryeqytetin e Ukrainës, por shpresojmë që inaugurimi të ndodhë në pak muajt e ardhshëm.

Kemi zhvilluar bisedë të sinqertë e konstruktive për marrëdhëniet e mira e pozitive që ekzistojnë midis dy vendeve tona, si edhe kemi folur për rrugët e mënyrat e çuarjes së tyre përpara, me qëllim forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

Më lejoni të nënvizoj disa aspekte në këtë drejtim:

Kemi folur për ndihmën ekonomike e financiare që Shqipëria mund të ofrojë për përballimin e situatës në Ukrainë, por edhe për rindërtimin e saj, që shpresojmë të ndodhë sa më parë, pa asnjë vonesë;

Kemi diskutuar për mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, pasi këto marrëdhëniet duhet të ngrihen në nivelin e atyre marrëdhëniet të shkëlqyera politike që ne kemi. Ekzistojnë mundësitë që shkëmbimet tregtare, edhe pse në të tilla kushte të jashtëzakonshme, të marrin një dimension të ri në rritje;

Jemi të lumtur për avancimin e Ukrainës në rrugën e saj pro-evropiane dhe urojmë që vendimi i Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të shtrojë rrugën për nisjen e tyre sa më parë. Jemi të gatshëm që të ofrojmë edhe përvojën tonë të deritanishme në këtë proces.

 

Shprehim bindjen se me rrugën e saj euroatlantike, Ukraina është e vendosur që e ardhmja e saj të jetë në krah të demokracisë, lirisë dhe vlerave evropiane.

Dhe së fundi, uroj që Samiti i përbashkët midis vendeve të Evropës Juglindore dhe Ukrainës që fillon pas pak çastesh, i pari i këtij formati dhe që kemi nderin ta zhvillojmë në Tiranë, të jetë frytdhënës dhe të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës dhe popullin të saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!