Mbesa e diktatorit fashist Benito Musolini ka njoftuar se do të largohet nga partia “Vëllezërit e Italisë” të kryeministres Giorgia Meloni sepse pretendon se kjo forcë politike “është shumë e djathtë“.
Raquelle Mussolini, një këshilltare bashkiake në Romë, tha se do t’i bashkohet partisë “Forza Italia” të ish-kryeministrit të ndjerë Silvio Berlusconi, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Itali, por që shihet si më liberale për të drejtat civile.
“Është koha për të kthyer faqen dhe për t’iu bashkuar një partie që mendoj se është më afër ndjeshmërisë time të moderuar dhe qendrore”, tha 50-vjeçarja.
Musolini, e cila fitoi më shumë vota se çdo kandidat tjetër në zgjedhjet e fundit komunale në Romë në vitin 2021, kohët e fundit kishte diskutuar me qëndrimin e “Vëllezërit të Italisë” për të drejtat e pakicave.
E njohur për mbështetjen e saj për të drejtat e anëtarëve të komunitetit LGBTQ+, ajo ka thënë se “nuk i ka pëlqyer kurrë” përshëndetja fashiste, të cilën disa anëtarë dhe mbështetës të partisë e bëjnë ende gjatë përkujtimeve.
Muajin e kaluar, Raquel Mussolini u përplas në distancë me kryeministren Meloni mbi polemikën që u ngrit për gjininë e Iman Kelif, boksieres algjeriane që konkurroi kundër italianes Angela Carini në Lojërat Olimpike.
Pasi Carini u largua nga ndeshja kundër Kelif (e cila më vonë fitoi medaljen e artë), Meloni tha se nuk ishte një ndeshje mes të barabartëve sepse algjerianja kishte dështuar në një kontroll të përshtatshmërisë gjinore në Kampionatin Botëror të vitit të kaluar.
“Derisa të vërtetohet e kundërta, Iman Khalif është një grua. Dhe ajo po i nënshtrohet një gjueti shtrigash pa e merituar diçka të tillë”, iu kundëpërgjigj Musolini – kryeministres, duke mbështetur atleten algjeriane.
50-vjeçarja mban emrin e gjyshes së saj, Raquelle Guidi, gruaja e dytë e Benito Musolinit, themeluesit dhe udhëheqësit të partisë fashiste që sundoi Italinë nga viti 1922 deri në 1943 si diktator, dhe u ekzekutua në vitin 1945 nga rebelët italianë.
“Duçe” kishte pesë fëmijë me Raquelle Guidi, përfshirë babanë e politikanes, një pianist i quajtur Romano, i cili vdiq në vitin 2006.
“Vëllezërit e Italisë” janë trashëgimtarët kryesorë të ekstremit të djathtë italian të shprehur fillimisht nga Lëvizja Sociale Italiane (MSI), një parti neo-fashiste e formuar në vitin 1946 nga mbështetësit e regjimit të Musolinit dhe ish-anëtarë të rangut të lartë të partisë së tij fashiste. Partia e Melonit ende mban si logon e saj atë të MSI, një flakë trengjyrëshe.
/abcnews.al