Mbërrijnë në Kosovë vaksinat kundër Covid-19 të dhuruara nga SHBA

schedule16:25 - 20 Gusht, 2021

schedule 16:25 - 20 Gusht, 2021

Ka mbërritur në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave Pfizer, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky kontingjent prej 35.100 dozash të vaksinës kundër koronavirusit, është në kuadër të donacionit prej mbi 500.000 vaksinave që SHBA-ja do të dhurojë përmes programit COVAX, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për shtetet e varfra.

Në ceremoninë e organizuar në Prishtinë, pas arritjes së këtij kontingjenti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se në mars i kishte shkruar presidentit amerikan, Joe Biden për t’i kërkuar që të dërgojë në Kosovë vaksina.

“Vlera e këtij donacioni vaksinash shkon përtej numrave. Sot triumfon solidariteti dhe rikonfirmohet edhe miqësia e fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës. Ky veprim është vula e shprehjes sonë popullore se ‘miku i mirë shihet në ditë të vështira’”, tha Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pavarësisht se Kosova ka qenë shteti i fundit në rajon që ka nisur procesin e imunizimit në fund të marsit, ky proces, sipas tij, është duke shkuar mirë dhe theksoi se deri në fund të vitit do të arrihet synimi i qeverisë, që të vaksinohet 60 për qind e popullatës.

“Vendi ynë është mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin nga të gjithë e veçanërisht nga miqtë dhe aleatët tanë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Kurti.

“Po përballemi me një pandemi të vështirë, zgjidhja përfundimtare e së cilës është vaksinimi”, shtoi më tej ai.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett rikujtoi se vendi i tij është donatori më i madh i COVAX-it ku ka kontribuar me 2 miliardë dollarë.

“Kjo dhuratë nga populli amerikan është donacioni më i madh i vaksinave që Kosova ka marrë nga ndonjë shtet i vetëm apo organizatë”, tha Kosnett.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të vaksinohen, pasi theksoi se vetëm “së bashku mund ta mposhtim COVID-19”.

Donacioni i ri i vaksinave nga SHBA-ja erdhi në ditën kur Kosova regjistroi numër rekord të rasteve të reja, përkatësisht 2.250 infektime brenda një dite dhe katër viktima.

Deri më tani, në Kosovë 227.581 persona janë vaksinuar plotësisht, me të dy dozat e vaksinës. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i dozave të administruara është 666.476./Rel/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!