Karlo Ançeloti e ka thënë hapur dhe e ka pasur gjithmonë të qartë. Një trajner nuk mund të jetë fitues nëse nuk ka yje në ekip, dhe kjo po konfirmohet tek Reali. Kilian Mbape ka marrë përdore skuadrën e madhe madrilene, sidomos tani pas shkarkimit të teknikut Shabi Alonso, dhe po synon trofetë, madje duke arritur rekorde.
Njeriu i ri i stolit, Arbeloa, krejtësisht pa përvojë në detyra të mëdha, ishte pjesë e lavdisë, ndërsa “merengesit” mundën 6-1 Monakon, me dy gola nga sulmuesi francez. Ai shënoi në minutat 5 e 26, pra I dha rrugë fitores.
Francezi barazoi rekordin e madh të Kristiano Ronaldos me 11 gola në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve në një sezon të vetëm. Legjenda portugeze ia kishte dalë në 2015-2016, por Mbape mund ta thyejë rekordin nëse shënon në ndeshjen e fundit që Reali e luan në 28 janar në Lisbonë ndaj Benfikës.
Nuk dihet nëse, sulmuesi do të mundet të arrijë apo të kalojë rekordin tjetër të CR7-ës, me 17 gola në një edicion të Championsit. Rrjetat e tjera u shënuan nga Mastantuono, autogol nga Kehrer, Vinisius dhe Xhud Belingham.
E përditshmja e kryeqytetit spanjoll, “Marka”, ka një titull si këshillë për dyshen Mbape-Vinisius: Kështu iu do “Bernabeu”! Gazeta e shquar e Parisit, “L’Ekip”, edhe “qan” për mbytjen e Monakos, por edhe lumturohet për formën e kapitenit të kombëtares së Francës.
Reali është kthyer tashmë në pretendent për gjithçka duke qenë vetëm një pikë prapa Barcelonës në renditjen e La Ligës, si dhe në vend të dytë në Champions, i sigurt për të qenë në zonën e sipërme, edhe pse duhet të presë ndeshjet e Bajernit, Atalantës, Atletikos apo Liverpulit./abcnews.al


