Me “fantazistin” francez, Kylian Mbappe, që shihet çdo ditë e më larg “gjigantëve” të Paris Saint-Germain, bordi i këtyre të fundit, me në krye, sheikun, Nasser Al-Khelaifi po mendojnë seriozisht për pasuesin e 24-vjeçarit, në majën e sulmit “parisien”, ku paratë nuk pritet të jenë problem, mjafton që pasardhësi kësaj here të jetë i duhuri.
Në media kanë filluar që tani aludimet e para, me listën që përmban 3 emra të mëdhenj, e cila duket sikur është idejuar nga ndonjë tifoz i Serie A, kjo pasi të tre lojtarët e përmendur janë pjesë e “gjigantëve” të futbollit italian, njëri nga Milan, njëri nga kampionët në fuqi, të Napoli e ky i fundi, nga nënkampionët e Evropës, Inter.
Nga “Kuqezinjtë” e Milanos i preferuar vijon të mbetet, “ylli” i sulmit, Rafael Leao, me “luzitanin”, i cili pavarësisht se nuk po shënon shumë këtë sezon, sërish ka arritur të gjejë 10 gola e 11 asistime, në 36 përballje duke ndihmuar jo pak shokët e tij. Megjithatë problem pritet të jetë disi klauzola, me “Djajtë”, që nuk pranojnë asnjë qindarkë më pak se 175 milionë eurot e rëna dakort në kontratë.
Pas tij në listë vjen “bomberi” nigerian, Victor Osimhen, me këtë të fundit, që pasi kaloi një periudhë dëmtimi ka filluar të rigjejë veten, teksa këtë sezon, ndryshe nga “magjia” e edicionit të kaluar numëron vetëm 13 gola e 4 asistime, ama të regjistruara në 24 përballje. Kartoni i tij sipas Presidentit të “Bluve”, Aurelio De Laurentiis vlerësohet në 130 milioën euro dhe nuk do të ishte çudi nëse sezonin e ardhshëm do të shihnim një rikthim të tijin, në Ligue 1.
Ndërkaq, i fundit, por aspak për nga rëndësia, në listën me tre lojtarë është kapiteni i “Zikaltërve” të Inter, Lautaro Martinez, mirëpo me argjentinasin në prag rinovimin me “gjigantët” e Serie A, vështirë se Marotta do të lëshojë terren kollaj. Përsa i përket golave, Lautaro është më i miri ndër të tre, të paktën momentalisht, teksa në 37 përballjet e zhvilluara këtë sezon ka realizuar plot 26 gola, si dhe ka asistuar 5 të tjerë. /i.m /abcnews.al