E veshur gjithmonë me një kostum të zi, syze dhe duke mbajtur një çantë ngjyrë të zezë, një grua një rrethin e brendshëm të Kim Jong-un në Korenë e Veriut ka nxitur kureshtjen e të gjithëve pasi identiteti i saj mbetet një mister, shkruan The Guardian.
Ajo u pa në krah të Kim javën e kaluar gjatë një koncerti dhe u pa gjithashtu në parlament duke mbajtur një çantë të zezë. Mediat shtetërore të kontrolluara nga Koreja e Veriut kanë publikuar foto ose video që tregojnë gruan, ndonjëherë pranë Kim-it dhe ndonjëherë larg në sfond për muaj të tërë, por nuk e kanë identifikuar dot se cila është.
Sipas informacioneve, gruaja misterioze është parë për herë të parë në shkurt.
“Ajo zakonisht është parë duke mbajtur një çantë dore, që përmban me gjasa sende që liderit të Koresë së Veriut i duhen gjatë gjithë kohës, si telefoni, cigaret apo ilaçet e tij”, citojnë mediat e huaja.
Gruaja besohet se ishte në të 30-at ose 40-at e saj dhe se mund të jetë edhe një nga të afërmit e Kim. Udhëheqësi i Koresë së Veriut mendohet se ka të paktën dy gjysmë motra, të quajtura Kim Sol-song dhe Kim Chun-song, të dyja të lindura në vitet 1970, raporton abcnews.al.
NK News tha se Kim Sol-song, gjysmë-motra më e madhe, mund të jetë aktive në udhëheqjen e partisë në prapaskenë. Dinastia Kim, e themeluar në vitin 1948 nga Kim Il-sung, ka sunduar me dorë të hekurt për tre breza dhe rrallëherë emëron gra në poste të larta. Kim Jong-un, megjithatë, ka lejuar disa gra në poste të fuqishme, zyrtare dhe jozyrtare.
Më e spikatura është motra e tij, Kim Yo-jong, 34 vjeçe, e cila është bërë figura e vetme më e rëndësishme në regjimin e Koresë së Veriut pas vëllait të saj. Ajo thuhet se është truri pas imazhit publik të ndërtuar me kujdes të Kim-it, brenda dhe jashtë vendit.
Këtë vit, lideri suprem emëroi ministren e parë të jashtme femër të vendit, Choe Son-hui, 57 vjeç. Ai gjithashtu është shfaqur me Hyon Song-wol, 44 vjeç, një yll i popit që përflitet se ka qenë ish e dashura e Kim.
Në vitin 2018, Kim i dha gruas së tij, Ri Sol-ju, titullin e “zonjës së parë të respektuar”, në atë që analistët thanë se ishte një nxitje e madhe për statusin e saj politik.
/abcnews.al