Mazhoranca “rrëzon” Metën me 74 vota

schedule14:54 - 25 Tetor, 2018

schedule 14:54 - 25 Tetor, 2018

Mazhoranca rrëzoi brenda pak orësh në komision e më pas në kuvend dekretin e Metës, që kishte kthyer për rishqyrtim ligjin që i hap rrugë prishjes së teatrit kombëtar. Njëlloj si herën e parë, pro prishjes së Teatrit nuk mori pjesë në votim ministri i Diasporës Pandeli Majko.

Teatri i vjetër Kombëtar do të shembet dhe në vend të tij do të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar. Mazhoranca rrëzoi në parlament dekretin e dytë të Presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili i ktheu për rishqyrtim Kuvendit ligjin për teatrin. Me 74 vota pro, socialistët i hapën rrugë shpalljes së garës dhe negocimit të kontratës me kompaninë fituese për ndërtimin e godines së re. Ashtu si dhe më herët ai qe nuk dha votën për prishjen e Teatrit Kombetar ishte ministri për Diasporën Pandeli Majko, ndonëse këtë herë ishte i pranishëm në seancën parlamentare

Dekreti presidencial u bë pjesë e seancës së të enjtes me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar socialist, rreth tre orë pasi u rrëzua ne komisionin parlametar të veprimtarisë prodhuese.

Kjo është hera e dytë që kreu i shtetit i kthen Kuvendit për rishqyrtim ligjin për teatrin. Për herë të parë në muajin korrik, Ilir Meta renditi ndër problematikat e ligjit mungesën e një gare të hapur për ndërtimin e godinës së re. Sugjerim ky që mazhorancës i erdhi edhe nga Brukseli. Socialistët pranuan kërkesën dhe ndryshuan ligjin, por për Presidentin e Republikës drafti nuk reflektonte të gjitha shqetësimet e tij dhe në tetor ai ia ktheu sërish parlamentit. Megjithkëtë, socialistët e rrëzuan dekretin dhe vendosën për shembjen e teatrit të vjetër dhe ndërtimin e një teatri të ri./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!