Mazhoranca po përpiqet t’i japë drejtim një prej çështjeve më të nxehta të politikës, atë për komisionet hetimore. PS propozoi këtë të enjte ndryshime ligjore, që saktësojnë ndër të tjera se asnjë dëshmitar nuk mund të thirret nga komisioni pa lejen e prokurorit.
Analisti Skënder Minxhozi thotë se po shkohet drejt një tjetër bllokimi, në lidhje me komisionet parlamentare.
Në një intervistë për ABC News, Minxhozi u shpreh se kriza nuk zgjidhet, pasi mosbesimi mes palëve është i madh. Sipas tij, problemi është politik, ndaj duhet zgjidhje politike, jo teknike.
“Unë mendoj se duke ulur çështjen në aspektin teknik, ashtu siç zonja Felaj e komentoi dhe që radhiti arsyet e saj, më duket se po e çojmë drejt një tjetër bllokimi situatën për komisionet hetimore. Komisionet hetimore dhe ngritja apo mos ngritja e tyre, është një problem politik, një problem mosbesimi politik mes palëve, kështu ka qenë dhe kështu vazhdon të jetë. Komisioni hetimor është një zgjatim i jetës parlamentare.
Kjo të ka të bëjë me atë që quhet sjellje, etikë, që përdoret në parlamentin tonë, e cila është e shkelur jo vetëm në kuadër të komisioneve hetimore, jo vetëm në kuadër të komisioneve parlamentare dhe aktiviteteve të tjera të parlamentit, por mbi të gjithave në seanca plenare, e keni parë se pa djegur tavolinat dhe pa mbledhur karriget si një pirg i madh, sërish parlamenti ka pasur gjuhë jashtëzakonisht të ashpra, tentativa për dhunë fizike mes palëve, akuza të paprovuara, pra, kërkohet që të disiplinohet nga pikëpamja etike dhe e garancive, një zgjatim i jetës parlamentare siç është komisioni hetimor, por vetë jeta parlamentare është totalisht e infektuar dhe e banalizuar deri në vulgaritet, nga të gjitha partitë, nga të gjithë deputetët.
Do të thoja, që duke parë reagimet e eksponenëve të Rithemelimit, në lidhje me daljen e Ermonela Felajt, unë mendoj se kriza nuk zgjidhet, palët janë sërish larg, në mes qëndron edhe problemi Berisha, që socialistët quajnë tabu, nuk pranojnë që ai të jetë askund. Është një problem politik dhe duhet zgjidhur me mjete politike, jo me gjetje teknike. Mendoj se jemi larg zgjidhjes. Nuk besoj, sepse mosbesimi mes palëve është aq i madh”, theksoi ai./abcnews.al