TIRANË- Mazhoranca dëshmoi se ka mbështetje të madhe në Kuvend dhe kjo u përligj nga numri I votave që morën disa nga projektligjet e votuara në seancën e djeshme. Përkundër zhurmës dhe tensioneve të Partisë Demokratike në Kuvend, PS-ja arriti të marrë besimin e deputetëve të PDIU-së, të cilët bashkuan votat gjatë votimit të projektligjeve.
Mes shumë ligjeve që u votuan, Partia e Shpëtim Idrizit konfirmoi mbështetjen për PS për projektligjin e menaxhimit financiar, i cili në total mori 77 vota pro. Por ky akt nuk ishte një rast i izoluar.
Një tjetër projektligj, konkretisht ai i taksimit të dyfishtë mori mbështetjen e tre nga katër prej deputetëve të PDIU, dhe konkretisht votuan pro Mesila Doda, Shpëtim Idrizi, Nusret Avdullai. Ky projektligj mori në total 79 vota pro.
Por, ky projektligj mund të merrte më shumë vota nëse nuk do kishte mungesa deputetësh në radhët e mazhorancës. Deputetët Aurora Mara dhe Agron Çela nuk ishin prezentë në seancë për arsye shëndetësore dhe duke shtuar dhe votat e tyre, mazhoranca mund të merrte 81 vota, duke konfirmuar veten si shumicë absolute në Kuvendin e Shqipërisë. Ky hap i partisë së Shpëtim Idrizit duket se konfirmon bashkëpunimin e tij jo vetëm në Parlament me Partinë Socialiste, por edhe për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Deri tani janë firmosur disa bashkëpunime për zgjedhjet lokale, ku Sali Berisha ka firmosur me PL-në e Ilir Metës dhe Vangjel Dulen, kurse Dashamir Shehi i LZHK-së braktisi aleancën me Partinë Demokratike duke firmosur bashkëpunim me Bindjen Demokratike të Astrit Patozit. Nga Partia Socialiste nuk ka ende konfirmime për bashkëpunime para zgjedhjeve lokale, por një “flirt” i mundshëm politik me PDIU, duket se është shumë i afërt/n.m.abcnews.al