E kthyer në Parlament pas samitit të jashtëzakonshëm të BE-së, kryeministrja britanike Theresa May ka mbrojtur marrëveshjen për shtyrjen e Brexit. Por teksa ka raportuar në Dhomën e Përfaqësuesve, ajo ka hasur në rezistencën e euro-skeptikëve, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e saj.
Kryeministrja britanike Theresa May ka mbrojtur të enjten vendimin e saj për të shtyrë Brexit dhe ka kërkuar një kompromis për planin e daljes me Partinë Laburiste në opozitë. Por, e përballur me kërkesën për të dhënë dorëheqjen, May është shprehur e vetëdijshme se misioni i saj nuk do të jetë i lehtë.
“Arritja e një marrëveshjeje nuk do të jetë e lehtë, pasi për të qenë e suksesshme ajo kërkon konsensus nga të dyja palët”, ka thënë May të enjten në Parlament.
Apeli i radhës i saj ka ardhur pasi më herët gjatë ditës, në samitin e jashtëzakonshëm Bashkimi Europian ra dakord për ta shtyrë Brexit deri më 31 Tetor, duke shmangur kështu një dalje të Mbretërisë së Bashkuar pa marrëveshje. Por ky vendim ka sjellë reagimin e ligjvënësve të linjës së ashpër, që duan që Britania të largohet nga BE sa më parë të jetë e mundur.
“A e kupton kryeministrja se marrëveshja e tërheqjes minon demokracinë tonë, të drejtën për t’u vetëqeverisur dhe interesin kombëtar? A do të japë ajo dorëheqjen për këtë”, ka deklaruar deputeti euroskeptik Bill Kesh.
Por May, e njohur për refuzimin e vazhdueshëm për të dhënë dorëheqje, është përgjigjur shkurt: “Besoj se ju e dini përgjigjen”. Pavarësisht shtyrjes 6-mujore, May synon të arrijë një marrëveshje në Dhomën e Përfaqësuesve përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian, që mbahen më 23 Maj./abcnews.al

