May këmbëngul në ndryshimin e marrëveshjes me Bashkimin Europian

schedule13:45 - 8 Shkurt, 2019

schedule 13:45 - 8 Shkurt, 2019

Kryeministrja britanike, Theresa May ka zhvilluar një ditë bisedimesh intensive në Bruksel teksa këmbëngul se vendi i saj do të dalë nga Bashkimi Europian në 29 Mars. Ndërkohë mediat britanike paralajmërojnë dorëheqjen e disa ministrave nëse nuk rishihet dhe njëherë çështja e vendosjes së kontrolleve në kufi me Irlandën.

Një ditë e rëndësishme për kryeministren britanike Theresa May, e cila zhvillon bisedime intensive me institucionet më të larta europiane përfshirë presidentin e Parlamentit Europian dhe presidentin e Këshillit Europian. Juncker gjatë takimit të mëngjesit të së premtes u tregua i gatshëm që të punojë ende për çështjen e marrëdhënieve të ardhshme mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian për të qenë më ambiciozë. Ai shtoi se në fund të këtij muaji do të ketë një takim tjetër me May.

Ndërkohë disa ministra të qeverisë britanike janë të gatshëm të japin dorëheqje pasi May, sipas tyre u kthye pa rezultate konkrete nga bisedimet e zhvilluara me zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Disa zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian i kanë përsëritur kryeministres britanike qëndrimin e BE-së se çështja e kontrolleve kufitare në kufi me Irlandën nuk mund të jetë pjesë e negociatave. Ata kanë kërkuar nga May që të bëjë kompromise me partinë opozitare të laburistëve për ta fituar mbështetjen e tyre dhe për të miratuar në Kuvend marrëveshjen e arritur.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ia ka bërë të ditur kryeministres britanike se marrëveshja për tërheqje të vendit të saj nga BE-ja nuk do të rihapet. Sipas tij, kjo marrëveshje është një kompromis i barazpeshuar mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, në të cilin të dyja palët kanë bërë lëshime të konsiderueshme për ta arritur atë.

E vetmja gjë e sigurtë është se Britania e Madhe do të dalë nga Bashkimi Europian në 29 Mars dhe autoritetet europiane nga ana e tyre këmbëngulin se nuk do të ketë një Brexit pa marrëveshje, aq sa presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, e cilëson si një katastrofë ekonomike dhe njerëzore opsionin e një daljeje pa marrëveshje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!