Max Verstappen fitoi garën e Çmimit të Madh të Austrisë në Formula 1

schedule18:35 - 2 Korrik, 2023

schedule 18:35 - 2 Korrik, 2023

Piloti holandez i Red Bullit, Max Verstappen, fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Austrisë në Formula 1, suksesi i 7-të sezonal, i pesti radhazi, në një botëror që po e dominon më shifra të frikshme.

Kampioni i botës në fuqi e dominoi garën e zhvilluar në pistën e Seltweg, duke e lëshuar kreun vetëm për 10 xhiro, të cilin e rifitoi shumë kollaj.

Në vendin e dytë u klasifikua monogasku Charles Leclerc me Ferrari, që bëri një garë të mirë, ashtu sikurse u paraqit makina italiane në tërësi në këtë fundjavë.

Në vendin e tretë u rendit meksikani Sergio Perez me makinën tjetër Red Bull, pozicion që e fitoi pas parakalimit të vështirë ndaj spanjollit Carlos Sainz (Ferrari) disa xhiro nga fundi.

Makina virtuale e sigurisë në pjesën e parë të garës e bëri disi më interesante betejën për zonën e pikëve, pasi pilotët hynë në bokse për të ndërruar gomat e modifikuar strategjitë.

Ndërkohë që sot ndikuan edhe penalitetet që komisarët e garës dhanë për pilotët për tejklalimin e limiteve të pistës (mes tyre edhe Sainz e Hamilton). Kjo solli mjaft parakalime në pistë.

Gjithsesi, Verstappen bëri një garë me vete, duke e dominuar botërorin e Formula 1, i pa shqetësuar nga rivalët.

Ai bëri një ndalesë më shumë se rivalët për të marrë edhe pikën shtesë të xhiros së shpejtë dhe sërish nuk u arrit nga rivalët.

Në zonën e pikëve u renditën Norris, Alonso, Hamilton, Russell, Gasly e Stroll.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!