Mauro Ikardi- Interi, një raport i tensionuar që po i vjen fundi

schedule20:12 - 14 Shkurt, 2019

schedule 20:12 - 14 Shkurt, 2019

Historia mes Mauro Ikardit dhe Interit ka qenë gjithnjë me tension dhe polemika. Sulmuesi nuk ka pasur kurrë një raport të mirë me drejtuesit dhe me tifozët.

Nuk është se habitet kush me këtë që po ndodh. Madje, habia është shumë më e vogël kur kujton historinë e Mauro Ikardit tek Interi, një periudhë e mbushur me polemika dhe krisje.

Vetëm një ditë pasi klubi vendosi t’i hiqte shiritin e kapitenit, ia vlen të kujtohet sesa i tensionuar dhe i paqendrueshëm ka qenë raporti I tifozëve dhe drejtuesve me sulmuesin argjentinas. Gjithçka fillon në 1 shkurt 2015, kur Ikardi u përplas me tifozët e pakënaqur pas humbjes 1-3 në fushën e Sasuolos.

Ata i flakën mbrapsht fanelën që ai ua kishte hedhur në tribunë, dhe pas kësaj, futbollisti i ofendoi rëndë. Më pas kërkoi falje, por e keqja ishte bërë. Në tetor 2016, tifozët në “San Siro” i kërkuan që të hiqte shiritin e kapitenit, pasi lexuan autobiografinë e tij.

“Je gënjeshtar, – ishin thirrjet, në lidhje me ngjarjen e 2015-ës, – hiqe shiritin, palaço”.

Ikardi u përpoq të vendoste paqen në rrjetet sociale.

Ngjarjet e tjera janë të kohëve të fundit.

Sulmuesi zemëroi klubin duke udhëtuar për në Madrid, në ndeshjen River-Boka, 48 orë para sfidës vendimtare ndaj PSV Ajndhovenit në Champions. Në dhjetor, Uanda Nara, gruaja dhe agjentja e tij, shkaktoi polemika kur shkroi në rrjetet sociale për “rinovim kontrate”, ndërsa ishte fjala për një sponsor, jo për kontratën me Interin.

Vazhdoi, po ato ditë, me pretendimin e Uandës se Interi dëshironte t’ia jepte Ikardin Juventusit, ndërsa drejtuesi Auzilio u përgjigj: “Le të mos bëjmë estradë, Uanda e di se ku jam nëse kërkon të më takojë, ofertën ia kemi bërë, por nuk kemi marrë përgjigje”.

Konflikti vazhdoi në pushimet e janarit, kur kapiten Ikardi u kthye në grumbullim një ditë pas shokëve, dhe mori një gjobë prej 100 000 eurosh.

Uanda e mohoi, por pati takim me Marotën për kontratën e re.

Gjithsesi, çdo gjë doli jashtë kontrollit me fjalët e saj në televizion për Perishiçin se “ndoshta, kroati dëshiron të largohet për motive personale”.

E fundit, sërish nga Uanda, kur u shpreh po në TV se “Mauro mbrohet pak nga Interi, ka shumë keqësi ndaj tij, dhe nuk e kuptoj nëse dalin nga skuadra apo jo”.

Sulmi i fundit i saj ishte kur kërkoi që drejtuesit interistë të forconin ekipin për ta mbështetur më shumë burrin e saj që të shënonte golat. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!