Merkato ka nisur, të paktën në media. Një ditë më parë raportohet se Barcelona kërkon zëvendësuesin e Luis Suarez dhe në listën e dëshirave ishin lojtarë si Kylian Mbappe, Luataro Martinez, Harry Kane dhe Marcus Rashford. Tashmë është një tjetër klub që do sulmues.
“Tuttosport” sot raporton se edhe Juventusi do një sulmues dhe vijon me emrat, që janë nga më të ndryshmit. Sipas asaj që shkruan e përditshmja italiane, Mauro Icardi mbetet në shënjestër. Nëse PSG nuk e blen sulmuesin argjentinas, atëherë thuhet se do të bëhet një tjetër tentativë për ta transferuar.
Në listë është edhe i riu Erling Haaland, i cili është lakuar edhe më parë si opsion për Juventusin dhe disa klube të mëdha europiane. Sulmuesi i Salzburg po paraqitet mirë në Austri dhe Champions League, ndërkohë që është edhe vetëm 19 vjeç.
Dy emra të tjerë intrigues janë Gabriel Jesus i Manchester City dhe Harry Kane i Tottenham. Ky i fundit është në listën e dëshirave të shumë klubeve europiane. Një sezon i dështuar me londinezët, do ta vinte anglezin në qendër të merkatos në verë. Sigurisht për të do të duhet të paguhet shumë, pasi Tottenham nuk e lëshon kollaj sulmuesin kryesor të skuadrës. /abcnews.al