Matteo Salvini: Netanyahu i mirëpritur në Itali, është mungesë respekti ta quash kriminel lufte

schedule13:49 - 22 Nëntor, 2024

schedule 13:49 - 22 Nëntor, 2024

Zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini, duke reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për lëshimin e një urdhër-arresti për Benjamin Netanyahu, tha se kryeministri i Izraelit është i mirëpritur nëse viziton Italinë, duke shtuar se është mosrespektim ta etiketosh si kriminel lufte. “Kam në plan të takohem së shpejti me anëtarët e qeverisë izraelite dhe nëse Netanyahu do të vinte në Itali, ai do të ishte i mirëpritur. Kriminelët e luftës janë tjetër gjë”, tha Salvini, shkruan Ansa.

Sipas tij, është shprehje e mosrespektimit të cilësosh si kriminel lufte kryeministrin e një prej vendeve të pakta demokratike në Lindjen e Mesme.

“Unë nuk hyj në sferën e dinamikës ndërkombëtare. Izraeli ka qenë objektiv i sulmeve për dekada të tëra dhe qytetarët e tij jetojnë me frikën e raketave, ndërsa nën shtëpitë e tyre ka bunkerë.

Të thuash tani që kryeministri i një prej vendeve të pakta demokratike në Lindjen e Mesme është një kriminel lufte që duhet arrestuar më duket mungesë respekti, gjë që është e rrezikshme sepse Izraeli nuk po mbron vetëm veten, por edhe lirinë, demokracinë dhe vlerat perëndimore”, përfundoi Salvini.

Sipas tij, është një zgjedhje politike e diktuar nga disa vende islame që janë shumicë në institucione të caktuara ndërkombëtare.

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi ​​të enjten urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Galant dhe zyrtarë të lëvizjes palestineze Hamas.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Gaza dhe sulmet e tetorit 2023 që shkaktuan ofensivën izraelite në territoret palestineze./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!