Mastercard dhe Visa pezullojnë të gjitha transaksionet dhe operacionet në Rusi

schedule00:51 - 6 Mars, 2022

schedule 00:51 - 6 Mars, 2022

Kompanitë e kartave të kreditit Visa dhe Mastercard kanë pezulluar operacionet e tyre në Rusi. Duke përmendur “natyrën e paprecedentë të konfliktit aktual dhe mjedisin e pasigurt ekonomik,” Mastercard njoftoi vendimin e saj në një deklaratë të lëshuar të shtunën.

“Kolegët tanë, klientët dhe partnerët tanë janë prekur në mënyra që shumica prej nesh nuk mund ta imagjinonin,” thuhet në deklaratën e saj. “Ky vendim rrjedh nga veprimi ynë i fundit për të bllokuar shumë institucione financiare nga rrjeti i pagesave Mastercard, siç kërkohet nga rregullatorët globalisht”.

Mastercard, e cila ka operuar në Rusi për më shumë se 25 vjet, tha se “kartat e lëshuara nga bankat ruse nuk do të mbështeten më nga rrjeti Mastercard” raporton “CNN”. Kompania e kartave të kreditit, e cila tha se ka rreth 200 punonjës në Rusi, shtoi se “çdo Mastercard e lëshuar jashtë vendit nuk do të funksionojë te tregtarët rusë ose ATM-të”.

Visa tha se planifikon të punojë me klientët dhe partnerët e saj brenda Rusisë për të pezulluar të gjitha transaksionet dhe operacionet e Visa-s në vend, sipas një  deklarate të lëshuar gjithashtu të shtunën. Visa tha në ditët në vijim “të gjitha transaksionet e nisura me kartat Visa të lëshuara në Rusi nuk do të funksionojnë më jashtë vendit dhe çdo kartë Visa e lëshuar nga institucione financiare jashtë Rusisë nuk do të funksionojë më brenda Federatës Ruse”.

“Ne jemi të detyruar të veprojmë pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe ngjarjeve të papranueshme që kemi parë,” tha drejtuesi i kompanisë Visa, Al Kelly. “Na vjen keq për ndikimin që kjo do të ketë te kolegët tanë të çmuar dhe te klientët, partnerët, tregtarët dhe mbajtësit e kartave që u shërbejmë në Rusi. Kjo luftë dhe kërcënimi i vazhdueshëm ndaj paqes dhe stabilitetit kërkojnë që ne të përgjigjemi në përputhje me vlerat tona”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!