“Ku e ke maskën”, policia gjobit 678 të “pabindur”, shoqërohen 10 persona

schedule17:52 - 17 Tetor, 2020

schedule 17:52 - 17 Tetor, 2020

Numri i gjobave për qytetarët që nuk kanë vendosur maskën në ambiente të hapura është 2-fishuar në 24 orët e fundit. 678 të “pabindur” janë gjobitur nga policia me 3 mijë lekë për shkak se nuk kanë mbajtur maskë ose barrierë mbrojtëse në rrugë.

Policia e shtetit ka bërë me dije se janë shoqëruar në Komisariate 10 persona, mes tyre kryesisht të rinj të cilët nuk kanë pranuar të tregojnë mjetin e identifikimit në momentin e kontrollit për të shmangur penalizimin me gjobë. Pas verifikimeve proceduriale më pas ata janë lënë të lirë.

Nga pamjet e publikuara nga policia duket si reagojnë personat që nuk e zbatojnë aktin normativ të ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ndërkohë ajo që bie në sy është se një pjesë e vogël tyre nuk kanë dijeni për vendimin, duke shprehur habi.

Policia i bën apel qytetarëve të respektojnë aktin normativ, si dhe të denoncojnë rastet e shkeljeve.

“Në të gjithë vendin, kontrolle për monitorimin e zbatimit të masave anticovid.

Punonjësit e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia. 

Prej orës 17:00 të datës 16.10.2020 deri në orën 17:00 të datës 17.10.2020, shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse dhe në orët e mbrëmjes. Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 678 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.

Disa qytetarë, kryesisht të rinj, për t’i shpëtuar masës administrative nuk i kanë treguar dokumentin e identifikimit punonjësve të Policisë. Për këtë arsye janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe monitorimin e masave anticovid, të cilat parandalojnë përhapjen e këtij virusi.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit fton qytetarët që të mbështesin akoma më shumë Policinë dhe të raportojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri që cënon rendin e sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm”, njofton policia./mv. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!