Mashtronin shtetas të huaj, arrestohen punonjësit e “call center-it” në Tiranë, shpallet në kërkim pronari

schedule09:00 - 19 Tetor, 2022

schedule 09:00 - 19 Tetor, 2022

Tre punonjës të një call center-i në Tiranë kanë rënë në prangat e policisë dhe është shpallur në kërkim pronari i subjektit.

Ata së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Last call”, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë.

Mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive, vihen në pranga admininstratori i subjektit dhe 2 punonjës (operatorë).

Shpallet në kërkim pronari i subjektit të paregjistruar në organet tatimore.

Sekuestrohen 4 njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Last call”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– D. T., 35 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti call center;

– E. Ll., 28 vjeç dhe E. A., 23 vjeçe, të dy banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim pronari i këtij subjekti, shtetasi A. T., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi D. T. administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin A. T., në zonën e ish-Parkut. Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishin të punësuar si operatorë shtetasit E. Ll. dhe E. A., të cilët, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit A. T.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!