Mashtrimi me Call Center-at prej disa vitesh, policia zbardh skemën: 15 të arrestuar, 35 në kërkim, çfarë sekuestruam

schedule14:09 - 17 Mars, 2022

schedule 14:09 - 17 Mars, 2022

Policia ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e zhvilluar në Call Centera. Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Tonin Vocaj, në një konferencë për shtyp tha se operacioni “SKEMA” për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik u finalizua në bashkëpunim me autoritetet ligj zbatuese gjermane, nën drejtimin e SPAK-ut. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 15 persona, 35 janë proceduar ndërsa në kërkim janë shpallur 23 të tjerë.

Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bazë të zbatimit të letër porosisë së ardhur nga organet ligj zbatuese gjermane, nën drejtimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe me partnerët e saj gjermanë, ka filluar hetimet në lidhje me një aktivitet kriminal në fushën e “Mashtrimit kompjuterik“ e cila kishte të bënte me platformat elektronike mashtruese “Broker Z” dhe “Globalix” nga viti 2018 e në vazhdim ka kryer mashtrimin e shumë qytetarëve gjermanë, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash. Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se prej disa vitesh, një subjekt tregtar nën emërtimin “Blu energy call“ zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrave së thirrjeve telefonike ose siç njihet në vendin tonë “Call Center“. Nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët gjermanë u arrit të evidentoheshin viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Hetimet intensive prej disa muajsh të zhvilluara në vendin tonë bënë të mundur identifikimin e drejtuesve të këtij subjekti, skemën e funksionimit, si dhe fushën e bashkëpunimit të personave që merreshin me këtë aktivitet kriminal. “Nga veprimet hetimore të kryera, si dhe nga ndërhyrja policore në subjektin “Bluenergycall“ nga ana e Njësisë së Hetimit të Krimeve kibernetike e mbështetur dhe nga strukturat e tjera të Drejtorisë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale u realizua operacioni policor “SKEMA“. Gjatë operacionit u kontrolluan 8 ambiente në të cilat ushtrohej aktiviteti kriminal në fushën e krimeve kibernetike, në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë”, njofton policia.

• U ndaluan 15 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
• U proceduan në gjendje të lirë 35 shtetas.
• U shpallën në kërkim 21 shtetas të tjerë.

Personat e mësipërm u proceduan për veprën penale “Mashtrim Kompjuterik”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b/1, 333/a, 334 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 200 pajisje kompjuterike, 120 pajisje të telefonisë Voip, 1 laptop, 70 telefona të lëvizshëm, USB, karta të ndryshme, dokumentacione etj.

Në kryerjen e operacionit policor morën pjesë dhe organet ligj zbatuese gjermane, nën drejtimin e Prokurorit të ardhur nga Republika Federale Gjermane dhe një skuadre të strukturave të hetimit kibernetik. “Gjithashtu, deri më tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare. Personat e kontaktuar ndodhen në shtete të ndryshme të botës”.

/abcnews.al