Mashtrimi i dekadës, “Kurum” perpiu 210 milion euro nga bankat shqiptare me bilance fiktive

schedule10:24 - 18 Korrik, 2020

schedule 10:24 - 18 Korrik, 2020

Ka mbërritur në gjykatë mashtrimi më i madh bankar i dhjetë viteve të fundit në Turqi, e cila lidhet me një ndër kompanitë më të njohura të sektorit të prodhimit të hekurit në vend.

Gazeta turke “Sabah” shkruan se skandali i kompanisë turke “Kürüm Demir”, e cila ka operuar në Shqipëri përmes kompanisë “Kürüm International SHA” ka të bëjë me një mashtrim gjigant që i është bërë bërë 33 bankave në Turqi, Shqipëri dhe Angli.

Siç shkruan gazetarja turke Dilek Güngor në “Sabah”, mashtrimi ishte aq mirë i menduar sa “nuk do t’i shkonte ndërmend as djallit”.

Kompania “Kürüm Demir” i përket biznesmenit të njohur Haşmet Bedii Kürüm, i cili ka qenë më herët edhe pronari i ekipit të futbollit të Besiktasit në Turqi.

Sëfundmi ajo është paditur në gjykatë nga 14 banka turke për mashtrim, pasi mori rreth 191 milion euro kredi përmes bilanceve fiktive, ndërkohë që kompania në fakt ishte duke falimentuar.

Të njëjtën praktikë sipas “Sabah”, kompania turke e ka ndjekur edhe në Shqipëri përmes “Kürüm International SHA” duke marrë 210.3 milion euro kredi nga bankat shqiptare.

Siç shkruan “Sabah“, “Kürüm International SHA” në Shqipëri ka marrë kredi përmes bilanceve fiktive nga bankat “IFC”, “Raiffesein”, “Credit Europea”, “Societe Generale (tani OTP) dhe “NBG Bank”.

Mashtrimi në Turqi

“Kürüm Demir” ishte një ndër kompanitë më të mëdha të prodhimit të hekurit në Turqi. Deri në vitin 2013, kur hekuri prodhohej kryesisht përmes mbledhjes së skrapit, kompania kishte të ardhura të mira dhe nxirrte mjaft fitim. Gjithçka ndryshoi pas vitit 2013, kur kompanive iu duhej që ta nxirrnin hekurin përmes përpunimit të pasurive nëntokësore. Kjo rriti kostot nga njëra anë duke ulur fitimin e kompanive, ndërkohë që nevojiteshin investime të mëdha për të qenë konkurrent në treg.

Siç raporton “Sabah”, ky ishte momenti kur kompania filloi të përballej me humbje, por drejtuesit e saj përdorën bilance fiktive për ta treguar kompaninë me fitime.

Përmes këtyre bilancëve dhe përdorimit të kompanive fantazmë për të treguar në mënyrë të rrejshme se kishte porosi të shumta, “Kürüm Demir” mashtroi bankat duke vijuar të marrë kredi edhe pse ishte në prag të falimentimit.

Më pas kompania aplikoi tek autoritetet e taksave dhe tatimeve për të shtyrë falimentin, ndërsa shiti pronat e saj tek kompanitë e tjera të hapura nën emrin e të afërmve të Haşmet Bedii Kürüm.

Synimi ishte që kur kompania të falimentonte, pronat të ruheshin dhe bankat të mos kishin se çfarë të sekuestronin.

Mashtrimi në Shqipëri
Gazeta turke “Sabah” shkruan se kompania mëmë “Kürüm” ia faturonte një pjesë të humbjeve të sa atje, filialit në Shqipëri “Kürüm International SHA”.

Për të mbuluar këto humbje, “Kürüm International SHA” në Shqipëri aplikoi përmes bilanceve fiktive për kredi tek disa banka shqiptare duke marrë prej tyre diçka më shumë se 210 milion euro kredi prej tyre.

“Sabah” shkruan se bëhet fjalë për bankat “IFC”, “Raiffesein”, “Credit Europea”, “Societe Generale (tani OTP) dhe “NBG Bank”.

Drejtuesit e kompanisë akuzohen nga autoritetet turke për vepra të rënda penale si mashtrimi dhe pastrimi i parave.

Mashtrimi i kryer nga “Kürüm Demir” ka shkaktuar një shqetësim të madh në Turqi, në një moment kur sektori bankar është në vështirësi të mëdha për shkak të problemeve të mëdha ekonomike që po kalon vendi, të cilat po shoqërohen me rritje te shpejtë të kredive me probleme.

Mbetet për t’u parë se si do të jetë reflektimi në Shqipëri i këtij mashtrimi, i cili vetëm nga bankat shqiptare ka “përpirë” 210 milion euro. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!