“Masat për mbrojtjen e prokurorëve efikase, por duhen përmirësime”, Çela: Ndryshimet për Kodin Penal duhen vlerësuar mirë, s’kemi pse nxitohemi

schedule12:10 - 13 Tetor, 2023

schedule 12:10 - 13 Tetor, 2023

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, në një deklaratë për mediat, theksoi se masat për mbrojtjen e prokurorëve nga kërcënimet dhe shantazhet e mundshme kanë rezultuar efikase por duhen përmirësime.

“Sa i përket kërcënimeve ndaj prokurorëve, dhe paketa për mbrojtjen, deri më sot kanë aplikuar masa për mbrojtjes për prokurorin që kanë rezultuar të jenë efikase por mund të ketë nevojë për përmirësime. Megjithatë, nisur nga rasti i fundit mund të shikohet nevoja për përmirësime të mundshme por duhet parë së pari nga KLSH dhe institucionet e tjera të përgjegjshme kur ne si Prokurori e Përgjithshme do të japim kontributin tonë. Mbrojtja së pari nuk nis vetëm nga mbrojtja fizike. Ka nevojë që prokurorët të kenë solidaritet se si ata ushtrojnë funksionet. Përballë një trupe prokurorie që është efikase, që arrijnë të kryejnë detyrat e tyre, pa lënë të çara në mënyrën se si ne ushtrojmë funksionet tona, ju siguroj që kjo qasje dekurajon këto që përmes shantazheve që mund t’i bëjë çdo magjistrati mund të pengojë drejtësinë. Për këdo që nuk bën detyrën cenon sigurinë e magjistratëve.“, u shpreh ai.

Më tej, prokurori shtoi se nuk duhet të nxitohemi për Kodin e ri penal, por duhen analizuar mirë çfarë nuk shkon dhe ndryshimet që mund të bëhen. Siç shtoi ai, problemi nuk qëndron tek fakti për të pasur një Kod Penal më të ashpër, pasi dënimet janë të ashpra por tek aplikimi i ligjit.

“Së pari mendoj se është delikat një proces që tenton në tërësinë e vet të reformojë sistemin penal, procedurës dhe Kodin Penal. Mendoj se duhen hedhur hapat me kujdes. Së pari duhet vlerësuar se pse kemi nevojë ta ndryshojmë dhe çfarë nuk shkon mirë dhe çfarë qasjeje do të kemi me Kodin e ri. Duke parë këto faktorë, duhen parë edhe masat që do të shkojnë drejt perfeksionimit të Kodit Penal. Unë mendoj se sistemi sot është duke kaluar një moment të vështirë. Jemi ende në fazën ku po kërkojmë të stabilizojmë zyrat, me një numër të caktuar prokurorësh dhe magjistratësh, për ta bërë të lehtë punën për ta. Nuk e di se si do të ndikonte aplikimi i Kodit Penal në këtë moment, megjithatë ne jemi të hapur për të vlerësuar çdo lloj propozimi për ndryshimin në Kodin Penal. Megjithatë mendoj se procesi duhet të jetë i kujdesshëm dhe nuk kemi pse nxitohemi. Kemi një kod penal të ashpër, çështja shtrohet tek aplikimi i ligjit. Ky ka qenë problemi kryesor dhe kjo është sfida që të duhet të përballojmë. Përmes një aplikimi efikas të legjislacionit do të jepet edhe efekti parandalues, që synojnë të kenë përgjithësisht këto politika të ashpërsimit.“, përfundoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!