TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka thirrur në takim prefektë, kryetarë bashkish dhe drejtues të sistemit të mbrojtjes civile në vend për masat parandaluese ndaj zjarreve gjatë sezonit veror.
Ai e nisi fjalën duke falënderuar kryetarët e bashkive, të cilët kanë marrë pjesë në këtë takim. Por, krahas kësaj ministri nuk kurseu disa prej funksionarëve vendorë, të cilët sipas tij nuk i dinë përgjegjësitë dhe detyrat që u ngarkon ligji sa i takon masave që duhet të marrin kundër zjarreve.
“Ka edhe bashki, që nuk e kanë parësore punë e emergjencave civile. E quajmë si punë të dorës së dytë. Punësojnë një njeri aty, të cilit shpeshherë nuk ia dinë as emrin”, tha Peleshi.
Ai theksoi se nëse njoftohet në kohë, zjarri nuk mund të marrë përmasa të mëdha.
“Nëse njoftohet herët nuk ka mundësi, që zjarri të madh përmasa të mëdha. Sa herë që zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duhet ta themi se strukturat përgjegjëse nuk ka funksionuar siç duhet”, shtoi ministri Peleshi.
Ministri kërkoi vigjilencë të shtuar në terren dhe bashkëpunim me komunitetin, ndërsa u shpreh si vijon: “Kemi hyrë në një stinë shumë të nxehtë, mbase edhe më të nxehtë se e vitit të kaluar, q pritet të prek shqiptarinë jugore dhe Shqipërinë e mesme, por nuk përjashtohet asnjë territor. Vigjilenca duhet të jetë kudo, duke filluar nga komunitetet. Mbani kontakte me kryepleqtë e fshatrave”, porositi ministri./n.m.abcnews.al