Masakroi me thikë bashkëjetuesen në Elbasan, lihet në burg Ramis Mici, çfarë tha para hetuesve

schedule12:10 - 2 Gusht, 2022

schedule 12:10 - 2 Gusht, 2022

Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 37 vjeçarin Ramis Mici, i cili vrau me thikë bashkëjetuesen e tij Jetlira Elezi. Avokati i caktuar nga shteti kërkoi analizimin e gjendjes se tij mendore, gjë që nuk u pranua nga gjykata.

Po ashtu pala mbrojtëse ka kërkuar ekspertizën e thikës, e cila gjithashtu nuk u pranua. Në sallën e gjyqit ai është shprehur se “nuk mban mend ditën e lindjes dhe ka pranuar se ka qenë i dënuar më parë për dhunë.”

Abc mëson se Mici gjithashtu ka deklaruar se nuk ka lekë për të paguar avokat dhe ka kërkuar një avokat nga shteti.

Si ndodhi ngjarja

Jetlira Elezi, nëna e një vajzë që u vra me thikë nga bashkëjetuesi i saj orët e para të së shtunës, kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje. Burime zyrtare nga prokuroria e Elbasanit i thanë ABC se pesë ditë më parë ata ishin shoqëruar në ambientet e policisë Elbasan, ku ajo kishte denoncuar dhunën e bashkëjetuesit.

Pronari i banesës ku dy 37-vjeçarët jetonin me qira ka treguar për mediat se para pesë ditësh ata kishin pasur një zënkë. Pas konfliktit, Ramis Mici vijoi të jetonte në ambientet që ata kishin marrë me qira në katin e tretë ndërsa Jetlirën pronari i shtëpisë e kishte siguruar në ambiente të tjera në kat të parë. Ishte ai që e gjeti 37-vjeçaren të mbuluar nga gjaku.

Lexo edhe: Ishte fshehur poshtë urës pasi masakroi me thikë bashkëjetuesen, arrestohet autori i krimit që tronditi Elbasanin

“Doli ai nga dera, e kishte përplas derën. Kur e pashë ajo kishte rënë përmbys, gjak dynjaja. Kjo ka ndodh nga ora 12.50.”

Ramis Mici, baba i dy fëmijëve nga martesa e parë, pasi qëlloi për vdekje me thikë bashkëjetuesen e tij u largua nga vendi i ngjarjes.

Pas më shumë se 24 orësh kërkime, Mici u gjet i fshehur poshtë përroit të Zaranikës, ku u arrestua. Ishte qeni që çoi policinë në gjurmët e autorit.

37-vjeçarja Jetlira Elezi kishte 6 vite që bashkëjetonte me Micin në një shtëpi që e kishin marrë me qira në lagjen “Skënderbej.”

Ajo ishte nga qyteti i Belshit, dhe kryesisht të dy ishin pa punë të qëndrueshme. Ndërsa Ramis Mici, sipas dëshmive dhe në martesën e parë kishte shfaqur të njëjtat probleme me dhunën./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!