Masakroi gruan për rimodelim barku, gjobitet me 500 mijë lekë “Sante Plus”

schedule21:58 - 27 Shtator, 2022

schedule 21:58 - 27 Shtator, 2022

Në 7 Shtator emisioni “Stop” solli historinë e një zonje, që iu drejtua spitalit privat “Sante Plus” për rimodelimin e barkut, por rezultati ishte i tmerrshëm. Zonja jeton prej 22 vitesh jashtë Shqipërisë dhe vendosi që për 1900 Euro të kthente barkun që kishte pasur para lindjeve, në këtë spital në Tiranë.

Pas ndërhyrjes, zonja tregon se nuk i vunë kateter e nuk mund të shkarkohej. Për pasojë u fry dhe iu rrit shumë albumina. Në këto kushte e çuan në QSUT për ndihmë më të specializuar. Kur u kthye në “Sante Plus”, plagët nuk po i mbylleshin, ndaj e rioperuan.

Shkoi në shtëpi e pas banjos, barku iu hap plotësisht. Në “Sante Plus” zonja shkoi dhe 5 herë të tjera për ndërhyrje. Herën e pestë i hoqën edhe kërthizën. Zonja tregoi se kjo situatë ka futur në depresion gjithë familjen e saj.

Në vendin ku jeton, i duhet të bëjë sërish ndërhyrje dhe të riparojë edhe kërthizën. Ndërkohë mjeku që ka operuar gruan është larguar dhe nuk gjendet dhe është zhdukur.

Lidhur me këtë rast, zëvendëspresidenti i Urdhrit të Mjekut Dritan Trepça, thotë, se Urdhri nuk bën kontrolle dhe nuk ka fuqi ndëshkuese.

“Pra çdo mjek i huaj që vjen në Shqipëri hapi i parë që duhet të bëjë, duhet të njehsojë diplomat, certifikatat e specializimit pranë Ministrisë së Arsimit dhe më pas paraqitet pranë Urdhrit të Mjekut për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në Republikën e Shqipërisë. Përgjegjësia e pajisjes me licencë është detyrë individuale e çdo mjeku. Nuk është përgjegjësi e një institucioni. Licenca është personale dhe mjeku e ka për detyrë që të paraqitet personalisht pranë Urdhrit të Mjekut si për dorëzimin e dokumentacionit, ashtu edhe për tërheqjen e licencës. Një person nuk paraqitet pranë institucioneve për të marrë licencën për kualifikimin përkatës atëherë nuk është përgjegjësi e Urdhrit të Mjekut, por kjo për mendimin tim fut në përgjegjësi penale. Nëse kemi një kequshtrim profesioni duhet të bëhen kallëzimet përkatëse në organet kompetente. Ne e pajisim mjekun me licencë për ushtrimin e profesionit individual dhe nuk e pajisim në filan spital apo në filan klinikë. Drejtuesi i institucionit mjekësor i cili mund të mos jetë mjek ka përgjegjësi ligjore që çdo person që punëson në profesionin e mjekut duhet ta licencojë pranë Urdhrit të Mjekut”, tha ai.

Kontrollet i bën Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, ndaj dhe “Stop” u drejtua në këtë institucion. Pas këmbënguljes sonë, Inspektorati u mjaftua të gjobisë me 500 mijë lekë spitalin Sante Plus në vuri në rrezik jetën e një pacienteje.

“Bazuar në një denoncim në emisionin Stop në Tv Klan, e transmetuar më datë 8 Shtator 2022 ju informojmë sa më poshtë vijon: Në datën 9 Shtator 2022, ISHSH dega rajonale Tiranë ka kryer inspektim në subjektin “Sante Plus Group”. Bazuar në gjetjet e konstatuara në procesverbal ndaj subjektit është vendosur masë administrative në vlerën 500 000 Lekë dhe janë lënë një sërë detyrash për t’u realizuar brenda një afati kohor të përcaktuar”, thuhet në letrën e ISHSH. /tvklan/