Mbarë opinioni publik është tronditur nga masakra që la të vdekur tre të rinj dje (17 Korrik) në mbikalimin e Fushë-Krujës.
Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha u ekzekutuan në makinën e tyre nga katër persona të panjohur.
Ndaj tyre u qëllua me breshëri plumbash. Sipas informacioneve autorët zbrazën rreth 80 plumba mbi makinën që ndodheshin viktimat.
Autorët janë larguar në drejtim të paditur ndërsa makina që dyshohet se është përdorur për të kryer krimin, u gjet e djegur pak kilometra larg vendit të ngjarjes, në fshatin Larushk.
Brenda makinës u gjetën 3 armë, ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 80 gëzhoja.
LEXO KËTU GJITHÇKA PËR ATENTATIN NË FUSHË-KRUJË
Autorët i kanë vëzhguar 3 të rinjtë.
Vendi i fundit ku është pikasur makina e 3 viktimave ishte aeroporti i Rinasit. Prej aty dyshohet se ka nisur edhe ndjekja e tyre. Autorët, të cilët janë 4 sipas policisë, i kanë mbajtur nën vëzhgim dhe i kanë zënë pritë në mbikalimin e Fushë-Krujës.
Autorët të cilët ndodheshin në makinën tip “Volswagen Passat”, e njëjtë si ajo e viktimave, ishin pozicionuar tek mbikalimi i Fushë-Krujës.
Ata kishin organizuar një pritë të mirë menduar duke mos lënë asnjë mundësi që shënjestra e tyre të largohej.
Sapo makina në të cilën ndodheshin Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj është futur në mbikalim është gjendur në breshërinë e plumbave, ku mendohet se autorët e kësaj masakre kanë zbrazur dy karikatorë automatikësh.
Vendi ku ndodhi ekzekutimi i të rinjve nuk ka kamera sigurie.
Policia gjeti në fshatin Larushkë një makinë të djegur e cila dyshohet se i përket autorë. Brenda makinës u gjetën edhe 3 armë të cilat janë përdorur për të ekzekutuar Martinaj, Hoxhën dhe Vatën.
Makina e viktimave, sipas burimeve të grupit hetimor ka marrë flakë nga breshëria e plumbave.
Si pasojë Martinaj dhe Hoxha u shkrumbuan brenda mjetit, ndërsa Vata kishte tentuar të largohej, por autorët e kthyen dhe e qëlluan duke e lënë të vdekur jashtë makinës.
Policia dhe RENEA kanë blinduar Larushkën dhe Niklën për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Kush janë viktimat
Tre të rinjtë që mbetën viktimë e atentatit të djeshëm në Fushë-Krujë ishin me precedent penal në fushën e krimeve ndaj personit, mëson gazetarja e Abc Xhensila Kodra.
Brilant Martinaj, 23 vjeç, banues në Fushë-Kuqe ishte me precedent kriminal, i dyshuar për veprën penale “vrasja e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje.”
Kujtojmë që Brilant Martinaj është kushëriri i Ervis Martinajt.
Ai dyshohet se ka qenë autor i vrasjes së efektivit të FNSH, Xhuliano Prela ngjarje e ndodhur në 2020.
Martinaj ka qenë edhe mik i ngushtë me reperin e njohur, Stresi. Gjithçka konfirmohet nga një video, ku djemtë shfaqen në një berberhane, shumë të qeshur së bashku.
Diklen Vata, 30 vjeç njihej si person me precedent penal, kishte lidhje të afërt shoqërore me Brilant Martinaj dhe pjesëtar i grupit kriminal të Ervis Martinajt.
Besmir Hoxha, 34 vjeç, nga Fushë-Kuqe kishte lidhje të afërta shoqërore me Brilant Martinaj.
Ky i fundit dyshohet si autor i ekzekutimi të efektivit të FNSH-së Xhuliano Prela në dhjetor 2020 dhe ish-policit Xhelal Reçi më 1 nëntor 2021.
Asnjë nga krimet nuk është provuar.
Ndërsa Diklen Vata është kapur në shtator të 2017-ës me kokainë në Tiranë.
3 milionë lekë për “kokën” e autorëve
Policia e Shteti ka vënë 3 milionë lekë të reja në dispozicion të kujtdo që ka informacione lidhur me atentatin e ndodhur pasditen e sotme në mbikalimin e Fushë-Krujës.
“Policia e Shtetit ka vënë menjëherë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, 3 milionë lekë të rinj”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Cilido që ka informacion të vlefshëm ta dërgojë në numrin e telefonit 069 41 10 853, i cili ka të disponueshëm edhe aplikacionin WhatsApp, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe të sigurt.”
/abcnews.al/