Njeriu i pasur i Danimarkës, Povlsen, pronar i kompanisë Asos, ka humbur tre nga katër fëmijët e tij në sulmet e ditës së Pashkëve në Sri Lanka. Povlsen është pronari i dytë më i madh i tokave në të gjithë Britaninë e Madhe.
Tragjedi familjare për pronarin danez të kompanisë ASOS, uebsajtit britanik të tregtisë së modës dhe artikujve kozmetikë. Tre nga katër fëmijët e Anders Holch Povlsen, janë ndër viktimat e sulmeve në ditën e Pashkëve në Sri Lanka, ku mbetën të vrarë rreth 300 persona. Ditët para sulmeve, Alma, një nga fëmijët e njeriut më të pasur të Danimarkës, kishte postuar në Instagram një fotografi të vëllezërve të saj Astrid, Agnes e Alfred në pishinën e një hoteli në Sri Lanka.
Anders Holch Povlsen ishte vetëm 28 vjeç kur trashëgoi nga babai i tij pronësinë e zinxhirit të dyqaneve të veshjeve “Bestseller”. Në atë kohë u njoh me An Storm Pedersen, gruan që më pas do të bëhej bashkëshortja e tij dhe nëna e katër fëmijëve. Ai ka 11 prona në Skoci, dhe një kështjellë. Pronat e tij janë më shumë se 221mijë hektarë, duke e bërë pronarin e dytë më të madh të tokave në Britaninë e Madhe. /abcnews.al