Masakra në Klos, reagon policia: Autori u vetëvra, shoqërohen dy vëllezërit e tij

schedule16:02 - 12 Tetor, 2022

schedule 16:02 - 12 Tetor, 2022

Policia ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Klos, ku mbetën të vrarë babë e bir Liri dhe Kenard Shira.

Lexo edhe: EMRAT/ U plagosën në masakrën e Klosit, Renato dhe Englantin Hasula nisen drejt Tiranës

Siç u bë e ditur më parë, autori Fiqiri Mjeshtri është vetëvrarë pas krimit, ndërsa u shoqëruan në ambientet e Policisë dy vëllezërit e tij Fatmir Mjeshtri dhe Besnik Mjeshtri.

Reagimi i plotë:

Klos/Informacion paraprak

Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir).

Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.

Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Nuk dihet ende shkaku i konfliktit, por ka dyshime se viktimat kanë qenë rastësore, ndërkohë që objektivi i autorit kanë qenë Eglantin Hasula dhe Renado Hasula, edhe këta babë e bir. Ata mbetën të plagosur dhe fillimisht u trajtuan në spitalin e Burrelit, ndërsa tashmë  janë nisur për në Tiranë për trajtim më të specializuar. /abcnews.al