Masakra e gjermanëve në Borovë/ Ndodhi në 6 Korrik të vitit 1943, viktimë popullsia civile

schedule11:54 - 13 Gusht, 2023

schedule 11:54 - 13 Gusht, 2023

Ishte data 6 korrik e vitit 1943 kur banorët e Borovës do të përjetonin një nga masakrat më të rënda të ndodhura në Shqipëri përgjatë luftës së II Botërore. Forcat gjermane pjesë e regjimentit të 98 të cilat po marshonin nga Mali i Zi në drejtim të Greqisë vranë pa mëshirë e dogjën të gjallë 107 persona, burra, gra e fëmijë.

Jetë të ndërprera pa nisur mirë e familje që u shuan. Viktima më e vogël ishte 4 muajsh dhe më i vjetri 84 vjeç. Jorgjia Simo Leka është ndër të paktat dëshmitarë të asaj masakre.Kanë kaluar 80 vite nga ajo ngjarje e tmerrshme por zonja Leka kujton me detaje e dhimbje çdo moment.

Ishte vetëm 7 vjeç kur pa t`i vriteshin para syve babai, nena motrat dhe vellzërit. Fati e deshi që ajo të jetonte. Të jetonte edhe për të rrëfyer brutalitetin e gjermanëve 8 dekada më parë.
Por si ndodhi masakra e Borovës, për më tepër që aso kohe, në vitin 1943 Shqipëria ndodhej nën pushtimin e Italisë dhe jo gjermanëve.

Studiuesi Marenglen Kasmi tregon se gjatë marshimit, ushtarët e huaj u përballën me pritën e e ngritur nga batalioni partizan “Tomorri” mbi kodrat në jugperëndim të Barmashit.
Numri i partizanëve dhe disa çetave vullnetare nga Panariti, Skrapari dhe Kolonja nuk ishte më shumë se 300. Mendohet se ata ishin përgatitur të luftonin pushtuesit italianë kur papritur u dukën autokolonat me gjermanë.

Pas betejës ushtarët u kthyen në Borovë. Kalonin shtëpi më shtëpi dhe i vinin flakën gjithçkaje duke vrarë 64 gra dhe 43 burra.

Historiani Kasmi thotë se masakra përveçse zbatim i urdhërit që kishin marrë gjermanët që të godisnin çfarë i pengonte u krye edhe me qëllim që të fitohej qetësia dhe popullsia vendëse dhe partizanët shqiptarë të mos guxonin më të pengonin marshimin e Divizionit të parë Alpin.

Megjithatë jo të gjithë gjermanët u treguan mizor. Pati ndër ta që ndihmuan popullsinë të largoheshin e ti shpëtonin masakrës.

Në 80-vjetorin e ngjarjes së rëndë në Borovë ishte ambasadori gjerman në Shqipëri Peter Zigraf.
Kërkoi falje për çfarë kishte ndodhur e tha se ndihej i turpëruar.

“Për mua si ambasador i Gjermanisë, rruga deri këtu në një vend si Borova nuk ishte e lehtë. Sepse nuk mund të jetë e lehtë të vizitosh një vend dhune, një vend që në 6 Korrik 1954, pra ende përpara pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania, si sot para 80 vitesh gjermanët kanë bërë një masakër të tmerrshme. Si shpagim për një sulm të pakmëhershëm të partizanëve ushtarë gjermanë vranë mizorisht 107 njerëz, civil mes tyre shumë gra dhe fëmijë. Në këtë vend, në këtë orë unë si gjerman ndjej turp të madh. Por unë përfaqësoj një Gjermani të ndryshme nga ajo Gjermani e asaj kohe, kohë e nacional socialistëve dhe jam i lumtur që ne sot së bashku me gjermanë dhe shqiptarë përkujtojmë viktimat“, theksoi ambasadori.

Diplomati gjerman tha se ngjarje të tilla duhen kujtuar për të mos harruar pasojat por edhe për të shamngur përsëritjen e tyre

“Përkujtimi i këtyre ngjarjeve të tmerrshme është gjëja e duhur dhe e nevojshme se viktimat kanë të drejtën e kujtesës. Të kujtuarit e tiranisë së nacional socialistëve dhe katastrofës që i sollën botës dhe vetë Gjermanisë është për ne një paralajmërim i madh. Paqja nuk është diçka e vetëkuptueshme, përpjekja aktive për të kuptuar njëri-tjetrin është baza për të ardhmen tonë në paqe dhe demokraci. Përmes sulmit rus kundër Ukrainës, lufta ka mbërritur sërish në Evropë. Pamjet e frikshme nga zonat e luftës në Ukrainë tregojnë se viktimë e luftës është para së gjithash popullsia civile dhe që strukturat civile vihen qëllimisht në shenjë të sulmeve. Fakti që Gjermania është marrë me të kaluarën e vështirë e bën atë që t’i vijë në ndihmë të Ukrainës si në mbrojtje ashtu edhe në rindërtim“, shtoi ambasadori.

Ndryshe nga 80 vite më parë që luftonin përballë njëri-tjetrit sot shqiptarët e gjermanët janë krahë për krahë si partner të ngushtë e bashkëpunëtorë në shumë fusha.

“Teksa kujtojmë bashkë këtë ditë tmerri dhe dhune më gëzon fakti që këtë e bëjmë tanimë si partnerë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe shtet i asociuar i BE-së dhe si partner i ngushtë dhe i besueshëm i BE-së dhe Gjermanisë. Gjermani a embështet rrugëtimin e Shqipërisë në BE si politikisht ashtu edhe në bashkëpunimin për zhvillimin ekonomik prej 30 vitesh. Ne dëshirojmë të ndërtojmë dhe zgjerojmë së bashku një Evropë të paqtë dhe demokratike. Vështrimin e hedhim para drejt të ardhmen së përbashkët por duhet parë edhe pas në mënyrë që përmes kujtesës dhe historisë të gjejmë shinat e përpjekjeve tona të përbashkëta. Të synosh pajtimin dhe kapërcimin e armiqësive të konsideruara historike është e rëndësishme ëdhe këtu në rajon”, shtoi ai.

Historiani Marenglen Kasmi thotë se e gjithë masakra e Borovës është e dokumentuar. E mbijetuara zonja Leka kërkon që çdo fakt historik të shkruhet në mënyrë që brezi i ri të informohet për çfarë ka ndodhur në tokën e tyre. Pas ngjarjes së tmerrshme të 6 korrikut 1943 ata pak që i mbijetuan mizorisë së gjermanëve u larguan nga Borova. Vite më vonë në fshat nisi sërish jeta.

Banorët që jetojnë sot aty janë të gjithë të ardhur nga zonat e tjera. Në përkujtim të ngjarjes së rëndë, në kodrën përballë fshatit, dikur një lagje që u shkrumbua plotësisht nga nazistët u ngrit memoraili. Aty prehen edhe 107 viktimat e batërdisë gjakatare të gjermanëve 80 vite më parë./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!