Masakra e festivalit, FBI: Autori, listë me objektiva

schedule11:00 - 7 Gusht, 2019

schedule 11:00 - 7 Gusht, 2019

Edhe masakra e festivalit të ushqimit, e verifikuar në Kaliforni pak ditë përpara asaj të El Pasos dhe Dejtonit, po trajtohet nga autoritetet si “terrorizëm i brendshëm”. Kjo pasi sipas FBI-së, autori i sulmit kishte hartuar një letër me objektiva, ku përfshiheshin institucione federale e fetare.

FBI ka hapur një hetim për “terrorizëm të brendshëm” në lidhje me të shtënat në festivalin e ushqimit në Kaliforni, ku mbetën të vrarë 3 persona, mes të cilëve dy fëmijë. Autoritetet amerikane kanë deklaruar se autori i masakrës, Santino Uilliam Legan, kishte një listë me objektiva për të sulmuar, mes të cilave ishin edhe institucione fetare dhe federale.

Agjenti Xhon Benet deklaroi se 19-vjeçari po eksploronte ideologjinë e dhunës, por shtoi se për momentin FBI nuk ka një motiv të saktë për veprimin e tij. Ndërkohë, policia amerikane po shqyrton lidhjet e dy episodeve të fundit të vrasjeve në masë me ideologjinë e dhunshme.

Edhe sulmi i së shtunës në El Paso të Teksasit, ku mbetën të vrarë 22 persona, po hetohet si çështje e terrorizmit të brendshëm. Agjencitë ligjzbatuese po vazhdojnë gjithashtu të analizojnë dokumentin anti-hispanik të postuar online nga autori pak përpara sulmit. Gjithashtu, FBI deklaroi të martën se edhe autori i sulmit në Dejton të Ohajos, që la 9 persona të vdekur, erdhi si pasojë e ideologjisë së dhunshme, por motivet e sakta të episodit nuk janë zbardhur ende.

Të shtënat në festivalin e ushqimit në Gillroj ishin të parat e tre masakrave që ndodhën brenda 8 ditëve në Shtetet e Bashkuara dhe që në tërësi vranë 34 persona dhe plagosën 50 të tjerë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!