Masakra e Dejtonit, policia identifikon autorin

schedule21:00 - 4 Gusht, 2019

schedule 21:00 - 4 Gusht, 2019

Policia në Shtetet e Bashkuara po punon për të hedhur dritë edhe mbi masakrën e Dejtonit, por ndryshe nga ajo e El Pasos nuk ka gjetur ende motivet e ngjarjes. Ndërkohë, dy episodet kanë marrë ngjyrime politike, me palët që kanë hedhur akuza ndaj presidentit Trump.

Autoritetet në Dejton të Ohajos kanë identifikuar autorin e sulmit që la 9 persona të vdekur dhe 16 të plagosur, por nuk e dinë ende motivin e veprimit të tij. Shefi i policisë lokale deklaroi se procesi hetimor është ende në zhvillim dhe për momentin nuk mund të zbulohen detaje. “Ne po punojmë që t’i japim publikut një përgjigje të saktë mbi motivet e këtij krimi”, tha zyrtari i lartë. Policia konfirmoi vrasjen e autorit në vendin e ngjarjes dhe sipas autoriteteve, ai ishte i veshur me jelek anti-plumb dhe ishte pajisur me municione të shumta. Ai është identifikuar si Konor Bets, 24 vjeç nga qyteti Bellbruk i Ohajos. Policia kontrolloi banesën e tij, por nuk dha detaje nëse kishte gjetur ndonjë element që mund t’i vërë hetimet në pistën e duhur.

Ndërkohë, në një konferencë shtypi, kryetarja e bashkisë së Dejtonit, Nen Uejlli deklaroi se ky incident mund të kishte ndodhur kudo në Shtetet e Bashkuara. “Jemi në një vend ku sulmet me armë janë bërë të zakonshme”, tha ajo, pavarësisht se insistoi se Oregoni, vendi ku ndodhi ngjarja, mbetet një zonë e sigurtë. Ndërkohë, si ngjarja në Dejton ashtu edhe ajo në El Paso të Teksasit nuk kanë vonuar të marrin ngjyrime politike.

Kandidatët për presidencialet e vitit 2020 akuzuan presidentin Trump për nxitje të racizmit dhe rikthyen në vëmendje ligjin për kontrollin e armëve. Ky i fundit u mbështet edhe nga republikanët. Duke iu referuar reagimeve të presidentit Trump pas tragjedive, senatori Lindsi Graham deklaroi se koha e lutjeve ka marrë fund. “Është koha të bëjmë më shumë se sa të lutemi. Është koha për të fuqizuar legjislacionin në Kongres dhe të forcojmë shtetet tona në mënyrë që të përballen me ata që përbëjnë kërcënim për veten dhe të tjerët”, tha Graham në Twitter.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!