Masakra e Dejtonit, autori vrau edhe motrën

schedule13:30 - 5 Gusht, 2019

schedule 13:30 - 5 Gusht, 2019

Autori i masakrës së Dejtonit vrau edhe motrën e tij gjatë sulmit në zonën e Oregonit. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet ligjzbatuese, të cilat sa i takon motiveve të krimit vazhdojnë të ecin në mugëtirë.

24-vjeçari Konor Bets vrau edhe të motrën ditën e diel, kur sulmoi me armë zjarri një kompleks baresh e restorantesh në Dejton të Ohajos. Autoritetet kanë konfirmuar se e motra e autorit, që mbeti i vrarë nga reagimi i policisë, është mes 9 viktimave të sulmit, që la gjithashtu 27 të plagosur. Ajo është identifikuar si Megan Bets, 22 vjeçe. Autoritetet ligjzbatuese kanë përsëritur se agresori ishte i armatosur deri në dhëmbë dhe se po të mos kishte qenë për patrullat që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, bilanci i viktimave do të kishte qenë më i rëndë.

“Ai u vra teksa përpiqej t’i afrohej një bari të populluar me njerëz. I gjithë sulmi zgjati 30 sekonda dhe po të mos kishte qenë ndërhyrja e agjentëve humbja e jetëve do të kishte qenë katastrofike”, ka deklaruar shefi i policisë së Dejtonit, Riçard Biel.

Zyrtari i lartë ka nënvizuar se, 24-vjeçari e kishte blerë armën online nga Teksasi dhe ka shtuar se ai nuk kishte asnjë precedent që t’i ndalohej blerja në mënyrë ligjore. Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë të ngurrojnë sa i përket motiveve të sulmit, për zbardhjen e të cilave hetimet duket se po ecin ende në mugëtirë.

“Është ende herët për të spekuluar mbi motivet e sulmit”, ka vijuar Biel. I pyetur nga mediat nëse agresioni ishte me bazë urrejtjeje, sikurse sulmi i Teksasit, ai ka shtuar se, për momentin nuk ka asnjë element që të sugjerojë një hipotezë të tillë./ABC News Albania 24/7