Masakër në një shkollë të Krimesë

schedule21:59 - 17 Tetor, 2018

schedule 21:59 - 17 Tetor, 2018

Një sulm me eksploziv dhe armë zjarri u ka marrë jetën 19 studentëve në një kolegj në gadishullin e Krimesë. Ngjarja u trajtua fillimisht si akt terrorist, por më vonë rezultoi se ishte një episod i ngjashëm me ato në shkollat amerikane. Duke reaguar, presidenti Putin ka urdhëruar një hetim të hollësishëm. 

Të paktën 19 nxënës kanë mbetur të vrarë të mërkurën në një shkollë në gadishullin e Krimesë, pasi janë sulmuar me armë zjarri nga një bashkëmoshatar. Ngjarja ndodhi në qytetin e Kerçit, ku 19-vjeçari Vladisllav Rosljakov pasi qëlloi moshatarët e tij vrau edhe veten.

Për momentin janë të paqarta motivet e veprimit të tij, që ngjason me rastet e verifikuara në shkollat e Shteteve të Bashkuara. Sipas mediave ruse, shumica e viktimave dhe e të plagosurve janë adoleshentë që ndiqnin studimet në kolegj. Gjatë të shtënave disa prej tyre u përpoqën të largoheshin, por u prekën nga plumbat.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes deklaruan se fillimisht dëgjuan disa shpërthime dhe më pas breshërinë e plumbave. Drejtoresha e shkollës, Olga Grebenikova, tha se kur kishte shkuar në vendin e ngjarjes kishte parë trupat e pajetë të fëmijëve të përhapur gjithandej.

Episodi u konsiderua fillimisht si një akt terrorist dhe forcat speciale nuk vonuan të mbërrinin në institucionin shkollor, por më vonë nuk rezultoi kështu. Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe që prej trazirave të atëhershme në gadishull nuk ka patur akte masive dhune. Duke reaguar nga resorti i tij në Soçi, presidenti Vladimir Putin e cilësoi ngjarjen një krim të rëndë, motivet e të cilit, siç tha ai, do të hetohen me kujdes./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!