Martini: Nuk po funksionon faza mbrojtëse. Teuta në krizë? Duhet të gjejmë qetësinë

schedule16:55 - 16 Janar, 2022

schedule 16:55 - 16 Janar, 2022

Teuta nuk po arrin të marri dot rezultate pozitive, pasi në 4 javë ka marrë vetëm 1 pikë, shumë pak për kampionët aktualë.

Edhe pas rikthimit të Edi Martinit, djemtë e detit nuk po gjejnë dot çelësin për t’u rikthyer te fitorja, ndërsa këtë herë ishte Kastrioti që i ndëshkoi me 2 gola.

Pas ndeshjes tekniku shkodran i Teutës është treguar i mërzitur, duke theksuar se mbrojtja nuk po funksionon siç duhet.

“Krijuam raste në pjesën e parë, Kastrioti shënoi në të vetmin moment që erdhi te porta jonë. Qarkulluam topin, por ishim konfuzë. Më shqetësoi lufta e topit të dytë. Tentuam ta bënim, por nuk ia dolëm siç duhet.

Teuta në krizë? Duhet të gjejmë qetësinë mentale, duhet të fitojmë ndeshje për të qetësuar nervat. Do të arrijmë maksimumin në ndeshjet e ardhshme. Sot na duheshin tre pikët, kështu që ishte një hap i gabuar.

Ne luajtëm me Plakun në krah, me një 4-2-3-1 të pastër. Krijuam raste, kishim mundësi të shënonim përpara Kastriotit, por gabuam dhe u shënua goli i parë. Edhe kushtet e fushës nuk ishin shumë të mira.

Nuk po na funksionon faza mbrojtëse, po pësojmë gola, ky është një problem, problemi më i madh i ekipit tonë, por mendoj se do rregullohet. Me kalimin e Aleksit në qendër të mbrojtjes, kemi humbur forcë në mesin e fushës.

Është shumë e rëndësishme të na kthehet qendërmbrojtësi. Pakënaqësi e Ivanovic pas zëvendësimit? Nuk e di ku e keni parë, ai më kërkoi të ndërrohej 5 minuta më përpara. Më kërkoi përsëri të ndërroja, por e mbajtëm pak.

E pyeta se çfarë kishte dhe po më shpjegonte se ku e kishte problemin”, deklaroi Martini. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!