Edi Martini, trajneri i Teutës kampione në fuqi, ka dalë para mediave për të folur për duelin kundër Kukësit që zhvillohet nesër në “Elbasan Arena”. Trajneri shkodran fillimisht deklaroi:
“Sot, në këtë kampionat, çdo ndeshje është e vështirë. Kukësi ka zhvilluar lojëra të mira, ka shtatë pikë. E vlerësojmë maksimalisht, por nuk e kemi parë ende në disavantazh. Ta shoh sesi do të reagojë kur të pësojë i pari”.
“Në çdo ndeshje hyjmë për ta fituar. Por rezultat në një ndeshje futbolli nuk dihet. Duhet të luajmë që nga sekonda e parë deri në të fundit për ta fituar dhe besoj se do t’ia dalim”.
VILA – Krah trajneri Martini ishte edhe mesfushori Emiljano Vila, i cili foli për duelin me Kukësin dhe për ecurinë e deritanishme.
“Ndeshjen me Dinamon e kemi harruar, jemi përgatitur gjatë javës maksimalisht për Kukësin. Jemi gati, të luftojmë dhe të marrim tri pikët dhe të shikojmë përpara.
Kukësi në javët e para ka bërë shumë mirë, ka treguar se luan një futboll të bukur, e vlerësojmë, por frikë nuk kemi aspak. Shoh ekipin tim, jemi ne gjendje optimale për të marrë tri pikët.
“Titulli? Është java e tretë, shumë herët për të folur për këtë, por do të luftojmë deri në fund për të mbajtur fronin”, tha mesfushori.