Martini: Bregu luan kudo! Situata te Teuta nuk është rënduar, ju tregoj pse

schedule10:19 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 10:19 - 4 Dhjetor, 2020

Edi Martini, trajneri i Teutës, ka dalë sot në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes me Kastriotin. Trajneri shkodran foli për ecurinë në takimet e fundit dhe mungesën e golave, sikurse edhe për përballjen që kanë me krutanët. Martini nuk iu shmang pyetjeve edhe për lojtarë të përveçëm, si Dejvi Bregu e dyshja e sulmit, Rubin Hebaj-Blerim Krasniqi.

“Barazimet dhe mungesa e golave? Nuk është rënduar gjendja e skuadrës, por normalisht është diçka që duhet zgjidhur. Kemi punuar gjithë javës për këtë dhe shpresoj ta rregullojmë. Kemi kaluar situata edhe më të këqija, nuk mund të them se është e keqe. Po të shikosh ndeshjet kemi dominuar në lojë, por nuk kemi arritur të shënojmë. Të gjithë statistikat flasin në favorin tonë. Megjithatë detyra jonë është të fitojmë ndeshjet dhe nesër besojmë se do ia dalim”

“Është e vërtetë që ne dhe Kastrioti nuk kemi humbur, por ne në çdo ndeshje futemi në fushë për të fituar. Nuk mendojmë për humbjen apo barazimin, pavarësisht se ndeshjet të sjellin rezultate të tilla. Jam i bindur që nesër djemtë, me dëshirën që kanë treguar dhe karakterin që kanë, do të japin maksimumin dhe do të fitojnë ndeshjen”.

“Hebaj-Krasniqi? E kemi menduar edhe herë të tjera, por e provuam në Ballsh. Besoj se edhe nesër do të veprojmë njëlloj. Në ndeshjen me Bylisin u detyruam ta nxjerrim njërin jashtë, për shkak se u ndëshkuam me karton të kuq në fillim të pjesës së dytë. Bëmë një ndeshje të mira, të dy sulmuesit luajtën më mirë. Gjithsesi rezultati jep verdiktin e fundit. Një 0-0 atje nuk është rezultat i mirë për ne”.

“Bregu është një lojtar që ta fusësh kudo në sulm e në mesfushë. Është mjaft i mirë, ka inteligjencë. E dimë që roli i tij i preferuar është nga e majta, por na duhet aty dhe po sakrifikon për skuadrën”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!