Nga Dr.Sc.LINDITA SHOSHA
“Locus praeventioni melior quam rememdium” më mirë të parandalosh se të kurosh…
Marsi kudo në botë është muaj sensibilizimi kundër kancerit kolorektal, apo tumorit të zorrës së trashë. Për të gjashtin vit radhazi Spitali American i bashkohet Colorectal Cancer Alliance, USA, në një fushatë informuese, ndërgjegjësusese, sensibilizuese, diagnostikuese, për të përcjellë informacionin e duhur në popullatë për moshat e rezikuara në mënyrë që sëmundja të diagnostikohet në kohë të hershme, e plotësisht të kurohet.
Por çfarë është kanceri i zorrës së trashë?
Kanceri kolorektal është formacion tumoral me qeliza atipike që ritet në murin e zorrës së trashë, dhe duke u zhvilluar prek gradualisht të gjithë murin e saj, duke u përhapur lokalisht dhe në distancë në organe të tjera të trupit. Gjenetikisht është vërtetuar që kanceri i kolonit dhe ai i rektumit janë të njëjtë. Kjo ndodh për shkak të mutacioneve gjenetike kryesisht në genin APC, TGF-b, DCC, TP53, të cilat e shndërrojnë adenomën në karcinomë. Është sëmundja e tretë më e diagnostikuar ndër sëmundjet tumorale dhe zë vendin e dytë për vdekjet nga tumori në burra dhe gratë, ndërsa kanceri anal përbën rreth 4% të rasteve të diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë. Incidenca rritet me rritjen e moshës dhe është pak më e lartë tek meshkujt se femrat.
Sipas Statistikave Përmbledhëse 2018/Albania Burimi: Globocan 2018, Incidenca mesatare vjetore e kancerit kolorektal në Shqipëri, me një popullsi në total 2.934.345 popullsi, është rreth 9.7 për 100. 000 persona, ndërsa në rrethin e Tiranës, është 13.6 për 100.000. Kanceri Kolorektal është në vendin e 8 me incidencë 8.4% dhe vdekshmëria 3,7%. Është konstatuar që ka reth 188 raste të reja me Kancer Rectum, Kancer Koloni 186 raste të reja/vit, Kanceri Anal 28 raste të reja/vit, numër total të kancerit anokolorectal rreth 402 raste të reja në vit.
Zbulimi i hershëm dhe ekzaminimi i kancerit duhet të shihet si një mjeti kryesor i kujdesit shëndetësor, gjithashtu sepse investimi në programin e screening mbron më të dobëtit në popullatë, zvogëlon barrën sociale të kancerit dhe zvogëlon të gjitha llojet e kostove të kujdesit shëndetësor, përfshirë ato për operacionin radikal, shtrimin në spital me ditë qëndrime të zgjatura, dhe aplikimin e kimioradioterapisë. Incidenca e CRC në Shqipëri rezulton më e ulët në krahasim me vendet e tjera evropiane, por Shqipëria duhet të aplikojë programin kombëtar të screening për të diagnostikuar më shumë kancer të hershëm dhe për të parandaluar këtë sëmundje para se të shkojnë në fazat e përparuara metastatike. Në vendet ku programet e screening u krijuan dy ose tre dekada më parë, u konstatuan uljet e niveleve të vdekjeve dhe ulje të shpenzimeve që lidheshin direkt me kostot e ndërhyrjeve kirurgjikale. Më shumë akses në kolonoskopinë dhe zbulimin në fazën e hershme, si dhe teknikat e përmirësuara kirurgjikale, radioterapinë, kimioterapinë, terapinë e personalizuar dhe kujdesin paliativ, do të kontribuojnë në uljen e numrit të vdekjeve për shkak të kancerit kolorektal.
Reth 72 % te rasteve i përkasin kancerit të kolonit dhe 28% atij anorektal. Reziku i zhvillimit të këtij kanceri gjatë jetës është mesatarisht një në 20 persona (5-6%), reth 1;22 meshkuj dhe 1;23 femra, por kjo e fundit në fakt varet dhe nga faktorët e riskut individual.
Çdo vit në botë diagnostikohen mbi 1 milion raste të reja dhe vdesin rreth 600.000 njerëz.
Por reth 20% e pacientëve në kohën që diagnostikohen kanë metastaza në distancë dhe 25% e tyre kanë metastazë solitare potencialisht të rrezikueshme në mëlçin e zezë, e cila duhet të hiqet pasi e rrit mbijetesën e këtyre pacientëve. Në Shqipëri në momentin kur pacientët diagnostikohen, përqindja e tumorit metastatik është më e lartë dhe shkon mbi 50%. Kjo për faktin se pacientët vijnë vonë, nuk ka program kombëtar të screening për kancerin kolorektal, i cili është i detyrueshëm mbi moshën 50 vjeç siç e kanë shumë prej vendeve të zhvilluara, dhe se konsulta për këtë kategori pacientësh akoma është tabu dhe konsiderohet e sikleteshme. Sigurisht ndikon dhe fakti që Shqipëria ka numër të pakët specialistësh të profilizuar në kirurgjinë kolorektale, të cilët kanë më tepër eksperiencë në diagnostikimin dhe trajtimin adekuat të kësaj patologjie.
Më tepër se 80% e kancerit të zorrës vjen nga polipet adenomatoze të cilat identifikohen nga kolonoskopia, dhe nëse ato kapen 2-3 vjet para se të shfaqet kanceri simptomatik, vdekjet nga tumori ulen deri në 60%.
Kryerja e testit imunologjik të enzimës M2-PK, biomarkeri kyç në kancerin kolorektal dhe polipet, e cila lidhet me metabolizmin tumoral dhe jo prezencën e gjakut në feçe ndihmon në diagnozën e tij të hershme. Kjo bëhet me anë të ekzaminimit të feçes, dhe nëse është pozitive, atëherë pacienti i nënshtrohet kolonoskopisë.
Reth 95% e rasteve të kancerit kolorektal janë adenokarcinoma dhe pjesa tjetër limfoma dhe karcinoma skuamoze qelizore. Adenokarcinoma e merr origjinën nga epiteliumi glandular i mukozës së zorrës. Në varësi të arkitekturës glandulare, pleomorfizmit dhe mukosekrecionit, adenocarcinoma ka tre shkallë të diferencimit që janë; e mirë diferencuar, mesatarisht e diferencuar dhe e padiferencuar.
Në zorrën e trashë zhvillohen lloje të ndryshme polipesh por është adenoma që njihet si prekancerozë, ato janë të shpeshta sidomos në meshkujt mbi 50 vjec.
Nën moshën 40 vjeç, zhvillohen më pak se 2% e kancereve të zorrës së trashë. Duhet të përjashtohet predispozicioni gjenetik i trashëguar si polipozat adenomatoze familjare, ose kancerin jopolipoz të trashëguar që është vetëm në 4% e kancereve kolorektalë.Testet gjenetike laboratorike të gjakut janë shumë ndihmëse për të parë se cili pjesëtar i familjes është i rrezikuar dhe ndihmojnë në përcaktimin e riskut. Vitet e fundit konstatojmë që në Shqipëri është ritur numri i rasteve me tumor të zorrës së trashë nën moshat 50 vjeç, madje dhe nën moshat 40 vjeç, sikundër kemi diagnostikuar dhe trajtuar raste dhe nën moshat 30 vjec.
Nga mosha 50 -75 vjeç rekomandohet të bëhet;
Çdo vjet fece gjak okult, sigmoidoskopy çdo 5 vjet, kolonoskopy çdo 10 vjet. Në rastet me rezik të lartë ekzaminimi duhet të fillojë pas moshës 40 vjeç. Pas moshës 75 vjec kontrollet rekomandohen në varësi të situatave problematike që mund të paraqiten.
Kolonoskopia, sigmoidoskopia fleksibile, fece gjak okult, ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të polipeve dhe formacioneve potencialisht displazike. Sot aplikohet dhe kolonoskopia virtuale via CT, por kjo e fundit ka kosto më të lartë, ka rrezatim nga skaneri, dhe nuk mund të bëjë polipektomitë që i realizon kolonoskopia standarte.
OBSH në studimet që kanë bërë sygjerojnë që nga ekzaminimi çdo dy vjet ose çdo vit të feçes, pas 10 vjetësh, mund të ketë një reduktim deri në 20% në vdekshmërinë e kancerit kolorektal. Parandalimi ofron strategjinë më të sigurtë dhe afatgjatë për kontrollin e kancerit. Politikat dhe programet kombëtare duhet të zbatohen për të rritur ndërgjegjësimin, për të zvogëluar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut të kancerit dhe për të siguruar që njerëzit të kenë informacionin dhe mbështetjen që ata kanë nevojë për të adoptuar mënyra jetese të shëndetshme.
Faktorët kontribues
Pse është ritur nr i kancerave tek të rinjtë?
Nuk dihet pse ka ndryshuar gjenetika, mbase stili dhe mënyra e ushqyerjes, konsumimi me tepricë i mishit të kuq dhe produktetve të zgarës, obeziteti, jeta sedentare, alkoli dhe duhani janë faktorët kontribues të këtyre tumoreve.
- Aktiviteti fizik, faktorët dietetik, mbipeshë
Aktiviteti fizik i rregullt dhe mbajtja e një peshë të shëndetshme të trupit, së bashku me një dietë të shëndetshme, zvogëlojnë dukshëm rrezikun e kancerit.. Ekziston një lidhje midis mbipeshës dhe obezitetit ndaj shumë llojeve të kancerit, si ezofagut, kolorektumit, gjirit, endometrit dhe veshkave. Ushqimi i lartë në fruta dhe perime te pasura me fiber mund të ketë një efekt mbrojtës të pavarur kundër kancerit të zorës së trashë. Sikundër konsumimi i mishit të kuq është akuzuar si faktor kontribues në zhvillimin e kancerit kolorektal.
- Alkooli
Është një faktor rreziku për shumë lloje të kancerit duke përfshirë kancerin e gojës, faringut, laringut, ezofagut, mëlçisë, kolorektumit dhe gjirit. Rreziku i kancerit rritet me sasinë e alkoolit të konsumuar. Për disa lloje të kancerit, pirja e alkoolit të rëndë të kombinuar me përdorimin e duhanit rrit ndjeshëm rreziqet e kancerit. Në vitin 2010, kanceret që i atribuohen alkoolit vlerësoheshin të jenë përgjegjës për 337,400 vdekje në mbarë botën, kryesisht në mesin e meshkujve
- Duhani
Në mbarë botën, përdorimi i duhanit është faktori më i madh i shmangshëm i rrezikut për vdekshmërinë e kancerit dhe vret rreth 6 milionë njerëz çdo vit, nga kanceri dhe sëmundjet e tjera. Tymi i duhanit ka më shumë se 7000 kimikate, të paktën 250 janë të njohur të jenë të dëmshme dhe më shumë se 50 janë të njohur për të shkaktuar kancer. Pirja e duhanit shkakton shumë lloje të kancerit, duke përfshirë kancerin e mushkërive, ezofagun, laring gojën, fytin, veshkën, fshikëzën, pankreasin, stomakun dhe qafën e mitrës
- Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës
Kimikatet kancerogjene kontribuojnë në ngarkesën e kancerit në nivele të ndryshme varësisht nga mjedisi gjeografik. Ndotja e ajrit në natyrë është klasifikuar si kancerogjen, ose kancer-shkaktuar, për njerëzit. Ekspozimi ndaj kancerogjenëve gjithashtu ndodh nëpërmjet kontaminimit të ushqimit, siç janë aflatoksinat ose dioksinat. Në vendin tonë duhet një kontroll më i rreptë ushqimor nga strukturat shtetërore mbi produktet e konsumimit nga popullata në drejtim të përdorimit brenda normave të përcaktuara nga komuniteti europian sidomos në drejtim të përdorimit të OMGJ. Ka mendime kontraverse mbi përdorimin e tyre.
Ka studime që lidhin rreziqet e OMGJ-ve në shëndetin e njeriut, kryesisht me çrregullime metabolike, diabeti, reaksione alergjike, komprimim të imunitetit të njeriut, rezistencë ndaj përdorimit të antibiotikëve, dhe sëmundjet tumorale. Ekspertët në vende të ndryshme mendojnë që duhet.
Moratorium mbi përdorimin e OMGJ-ve në bujqësi dhe industrinë ushqimore. Këshillohet konsumimi i sa më shumë produkteve bio, fruta dhe perime, por jo gjithmonë të gjindshme nëpër markete. Ajo që duket e bukur, jo gjithmonë është e dobishme për shëndetin. Një grup shkencëtarësh nga 13 vende kanë mbështetur thirrjet për një moratorium për bllokimin e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht pas miratimit të hulumtimeve të pabotuara që kanë ngritur frikën e rreziqeve të mundshme shëndetësore. Qeveria britanike ka qenë nën presion për të vepruar, pas një njoftimi nga 22 shkencëtarët që hulumtimi i kryer nga Dr. Arpad Pusztai në Institutin e Kërkimeve Roëett në Aberdeen të Britanisë se Madhe, kishte gjetur prova të ndryshimeve të sistemit imunitar dhe dëmtimit të organeve në minjtë të ushqyer me ushqim të modifikuara gjenetikisht. Eksperimentet dhe debatet në këtë pikë janë të nxehta dhe vazhdojnë në shumë vende të botës, në të dy krahët.
Diagnoza e hershme
Diagnoza e hershme e kancerit rrit gjasat për trajtim të suksesshëm duke u fokusuar në zbulimin e pacientëve simptomatikë sa më shpejt që të jetë e mundur. Diagnoza e hershme ka për qëllim zvogëlimin e përqindjes së pacientëve të cilët janë diagnostikuar në fazën e vonshme. Pasojat e kujdesit të vonuar të kancerit mbartin gjasat më të ulëta për mbijetesë, morbiditet më të madh të trajtimit dhe kosto më të lartë të kujdesit, duke rezultuar në vdekje të shmangshme dhe paaftësi nga kanceri. Diagnoza e hershme përmirëson rezultatet e kancerit duke siguruar kujdesin në fazën më të hershme të mundshme dhe prandaj është një strategji e rëndësishme e shëndetit publik në të gjitha mjediset. Agjensia Ndërkombëtare për Hulumtime mbi Kancerin (IARC) ka arritur në përfundimin se përfitimet e depistimit me testet e përcaktuara aktualisht të bazuara në jashtëqitje (testi i gjakut okult guaiac fekal ose testi imunokimik i feceve) dhe egzaminimet endoskopike (sigmoidoskopia ose kolonoskopia) jane shume te vlefeshme. Prandaj, testet e jashtëqitjes, të cilat janë të lira dhe të lehta për tu realizuar, janë më praktike në shumë zona të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Programet e screening nuk rekomandohen në shumë vende me indeks të ulët të zhvillimit me incidencë të ulët, kështu që këto nisma janë të pakta në Afrikë, Azi dhe Amerikën e Jugut. Shqipëria ende nuk ka një program kombëtar screening për parandalimin e kancerit kolorektal. Mbijetesa është shumë më e lartë kur kanceri kolorektal zbulohet në një fazë të hershme; sidoqoftë, më pak se gjysma e rasteve diagnostikohen herët, madje edhe në vendet e zhvilluara, kryesisht për shkak të niveleve të kontrollit suboptimal. Për shembull, vetëm rreth 40% e kancerit kolorektal diagnostikohen në një fazë të hershme në Kanada, Danimarkë dhe Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se 50% e rasteve kur vijnë në spitale në Shqipëri janë tashmë faza të përparuara metastatike.
Trajtimet moderne të kancerit kolorektal perfshijne protokollet e trajtimit kirurgjikal i cili realizohet me kirurgji tradicionale të hapur, laparaskopike (me sonde) dhe kirurgjinë robotike e cila është shumë efikase sidomos në tumoret e rektumit. Trajtimit kirurgjikal i bashkangjitet trajtimi neoadjuvant (para operacionit) me kemioradioterapi në varësi të vlerësimit bashkarisht me mjekun onkolog, dhe trajtimi postoperator me kemioradioterapi, po përsëri në konsulencë me mjekun onkolog. Trajtimi i kancerit kolorektal është trajtim multidisiplinar, dhe përfshin disa specialistë të fushës, si kirurg, onkolog, radiolog, gastroenterolog, anatomopatholog, staf për kujdesin ndaj kolostomisë dhe rehabilitimit të pacientit etj. Shoqëria shqiptare ka nevojë për ndërgjëgjësim të vazhdueshëm, informim me të gjitha burimet e informacionit, aplikimin e planit kombëtar të kontrollit të detyrueshëm kolonoskopik mbi moshën 50 vjeç, për parandalimin në kohë të sa më shumë rasteve potencialisht tumorale me një kosto të rënduar financiare si për shtetin ashtu dhe për individin, përgjatë proçesit të trajtimit.
”Protegas sanitas, diutius vivere” mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.