Marshimi për 1 Majin në Stamboll, mbi 200 të arrestuar

schedule09:21 - 2 Maj, 2024

schedule 09:21 - 2 Maj, 2024

Policia turke përdori gjerësisht gazin lotsjellës për të parandaluar protestuesit që merrnin pjesë në marshimin e 1 Majit të arrinin në Sheshin Taksim, një vend me simbolikë politike, në metropolin e Stambollit.

Pamjet e transmetuara nga CNN Türk tregojnë operacionin e policisë dhe përleshjet mes tyre dhe protestuesve. Forcat e sigurisë, të dislokuara në numër të madh, penguan protestuesit të lëviznin drejt Taksimit.

Sipas ministrit të Brendshëm Ali Gerlikaya, u arrestuan 210 persona. Autoritetet ndaluan demonstratat në shesh dhe rrethuan pjesën më të madhe të qendrës së qytetit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.

Amnesty International e përshkroi argumentin e autoriteteve si “të metë” dhe bëri thirrje për heqjen e ndalimit, duke përmendur një vendim të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Në fund të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese vendosi se ndalimi i demonstratave në Taksim shkelte të drejtën për tubim paqësor.

Sheshi Taksim, në zemër të Stambollit, ka një rëndësi të madhe simbolike për sindikatat dhe opozitën, kryesisht për shkak të masakrës së 1 majit të vitit 1977, kur snajperët hapën zjarr mbi gjysmë milioni njerëz në shesh, duke vrarë dhjetëra.

Taksimi ka qenë gjithashtu në qendër të protestave antiqeveritare për parkun Gezi që nga viti 2013, të cilat gradualisht kanë marrë dimensione të mëdha kombëtare.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!