Marrëveshje Shqipëri – Ukrainë/ Bashkëpunim për pasuritë e konfiskuara dhe forcimin e shtetit të së drejtës

schedule15:04 - 30 Maj, 2025

schedule 15:04 - 30 Maj, 2025

Shqipëria dhe Ukraina nënshkruan këtë të premte një marrëveshje bashkëpunimi për menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Dokumenti u firmos në Varshave nga dy agjensitë respektive, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm për ndërtimin e një platforme të përbashkët për rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit apo krimeve të tjera me ndikim ekonomik.

Ky Bashkëpunim përfshin shkëmbimin e praktikave më të mira për menaxhimin dhe ripërdorimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, krijimin e grupeve të përbashkëta të punës si dhe zhvillimin e marrëdhënieve me organizatat ndërkombëtare.

Kjo marrëveshje shënon jo vetëm një bashkëpunim teknik, por edhe një angazhim të përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës. Ajo hyn në fuqi menjëherë dhe do të shërbejë si bazë për shkëmbimin e informacionit dhe zhvillimin e një sërë aktivitetesh të përbashkëta.

Por kjo nuk është marrëveshja e vetme mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Në janar të këtij viti, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Volodimir Zelenksy, nënshkruan një marrëveshje 10-vjecare për sigurinë dhe mbrojtjen. Bashkëpunimi përfshin shkembimin e informacionit në fushën e inteligjencës, sigurinë detare dhe kibernetike, luftën kundër krimit dhe trafikut. Po ashtu, Shqipëria zotohet të mbajë të mbyllura portat detare për anijet ruse deri sa të kthehet integriteti territorial I Ukrainës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!