Marrëveshja, Zogiani: Kosova duhet të jetë e kujdesshme, diplomacia ka treguar ‘ndrojtje’ ndaj Serbisë

schedule16:33 - 2 Mars, 2023

schedule 16:33 - 2 Mars, 2023

Avni Zogiani, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në një intervistë që dha për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku komentoi zhvillimet më të fundit sa i përket marrëveshjes me Serbinë. Sipas tij, Kosova duhet të tregohet e kujdesshme duke marrë parasysh Serbinë.

Ai përmendi faktin që edhe pse u arrit një marrëveshje në Uashington me Serbinë, kjo e fundit hodhi poshtë premtimin se nuk do të lobonte kundër njohjes së Kosovës. Ai argumentoi gjithashtu se diplomatët perëndimor kanë qenë të “ndrojtur” sa i përket presionit ndaj Serbisë.

“E para ambasadori amerikan është shumë i përfshirë në këtë çështje. E shihni që ka studiuar edhe draftet. Ka arritur t’i kuptojë. Megjithatë, me gjithë respektin edhe besimin tek Hovenier por edhe diplomatë të tjerë, Kosova duhet të jetë e kujdesshme në atë se si do të jenë prospektet e dokumenteve të tilla.

Cilido draft që është diskutuar nuk do të ishte problematikë nëse do të rregullonim marrëdhëniet me Kroacinë. Me Serbinë është problem sepse në vazhdimësi ka marrë atë që i leverdis dhe shkelur atë që ka qenë pozitive për Kosovën. Në këtë situatë, Kosova duhet të jetë e kujdesshme.

E dini që është shkruar edhe një marrëveshje në Uashington dhe se Serbia nuk do të bëjë fushatë kundër njohjes por menjëherë filloi me deklaratat se Kosovës do t’i largohen disa njohje. Kemi të bëjmë me një shtet që s’ka respektuar në asnjë moment marrëveshje por nga ana tjetër kemi diplomaci që ka qenë e ndrojtur sa i përket presionit të nevojshëm ndaj Serbisë.“, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!