Marrëveshja për teknologjinë me Izraelin/ Rama: Zanafilla vite më parë, baza më e madhe e të dhënave digjitale tashmë në Tiranë

schedule10:49 - 28 Shkurt, 2025

schedule 10:49 - 28 Shkurt, 2025

Këtë të premte është realizuar nënshkrimi i marrëveshjes mes “TEDA Tiranë”, Zona e Lirë Ekonomike e Bashkisë së Tiranës, dhe kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”, e cila do të realizojë një investim i rëndësishëm për teknologjinë digjitale.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se kjo marrëveshje e ka zanafillën disa vite më parë në një vizitë në Izrael. Ai ka theksuar se tashmë baza më e madhe e të dhënave digjitale është në Tiranë dhe kjo do të ndihmojë jo vetëm Shqipërinë në aspektin teknologjikë, por dhe vajza dhe djem që të punësohen.

“Është kënaqësi e posaçme që këtu në hapësirën e Qendrës për Hapje dhe Dialog të Kryeministrisë ku kemi asistuar në firmosjen e një sërë kontratash me rëndësi strategjike për vendin të mikpresim edhe firmosjen e kësaj marrëveshjeje strategjike për Tiranën, e cila e ka zanafillën disa vite më parë në takimin prezantues të kompanisë izraelite gjatë një vizite që ne bëmë në Izrael.

Nga ana tjetër, nuk e fsheh që fakti që kompania vjen nga Izraeli është një arsye më shumë për të qenë posaçërisht të kënaqur që e mikpresim këtë marrëveshje që të firmoset këtu në këtë hapësirë. E them këtë, jo thjesht për arsye të marrëdhënieve që i kanë rrënjët në histori me popullin hebre por e them këtë duke u nisur nga fakti që historia e zhvillimit, historia e transformimit, historia e modernizimit dhe sovranitetit të Izraelit si një fuqi e madhe inovacioni dhe po ashtu ekonomie, pavarësisht territorit të vogël dhe pavarësisht numrit të vogël të popullsisë, është shëmbëlltyra më frymëzuese e faktit se dallimin mes vendeve, dallimin mes shteteve nuk e bën çfarë ke, por e bën çfarë di. Nuk e bën sa ke, por e bën sa di.

E kam sjellë shpesh në bisedat e mia shembullin e ujit. Izraeli nuk ka ujë, nuk është i bekuar nga Zoti siç jemi të bekuar ne, siç është bekuar Shqipëria që ka burimet më të pasura ujore të Europës pas Norvegjisë, por Izraeli ka sistemin më të jashtëzakonshëm të furnizimit me ujë të pijshëm dhe të ujitjes në një tokë e cila nuk është pjellore. Izraeli ka zhvilluar një nga bujqësitë më të përparuara, një nga sektorët më të përparuar të bujqësisë në botë dhe këto janë fryt i dijes, janë fryt i një procesi të thellë transformimi dhe shfrytëzimi të trurit dhe sa më shumë ne të përfitojmë nga transferimi i dijes nga Izraeli në Shqipëri aq më mirë do jetë për ne, aq më mirë do të jetë për ekonominë dhe zhvillimin e vendit tonë.

Jemi në një fazë, ku shumë gjëra jemi duke biseduar dhe jemi duke projektuar së bashku me partnerë të ndryshëm të ekselencës izraelite dhe këtu dua t’i bëj një falënderim të posaçëm ambasadores së Izraelit e cila është pa asnjë dyshim një prezencë jashtëzakonisht mbështetëse e Shqipërisë, e shqiptarëve dhe një person i dashuruar me këtë vend dhe me këtë popull.

Kjo ka një rëndësi të veçantë sepse shton energjinë dhe shton edhe forcën e një përfaqësie diplomatike për të bërë më shumë për vendin ku është.

Ne jemi duke diskutuar për një sërë marrëveshjesh strategjike që shtrihen në disa fusha por pa diskutim që çdo kontribut që ne mund të sjellim këtu nga bota e dijes së Izraelit në sektorin e teknologjisë dhe të inovacionit është mëse i mirëseardhur dhe për këtë arsye, edhe investimi që do të realizohet në zonën e lirë ekonomike të Tiranës nga kompania izraelite këtu e pranishme është një investim strategjik i një rëndësie shumë të veçantë. Bëhet fjalë për dhjetëra e dhjetëra miliona euro për të krijuar një bazë të dhënash, një bankë të dhënash digjitale e cila do të jetë në harkun e 18 muajve pas marrjes së lejes së zhvillimit baza më e madhe e të dhënave digjitale të rajonit tonë dhe do të ofrojë një platformë shumë tërheqëse për kompani të mëdha në fushën e teknologjisë digjitale dhe përkatësisht në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, përtej hapësirave të zhvillimit në funksion të industrisë dhe në funksion të administrimit tërësor të organizmit të shtetit, ky investim do të krijojë mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë vajzat dhe djemtë e këtij vendi, qofshin ata që jetojnë këtu e qofshi nata që jetojnë jashtë, për të pasur një punë të shumë mirë paguar në Tiranë. Një punë të shumë mirë paguar sepse filozofia e kompanisë dhe filozofia në tërësi e kompanive që zhvillojnë këto investime dhe zhvillojnë teknologjinë digjitale nuk është gjëkundi e lidhur me koston e krahut të punës, përkundrazi, është e lidhur me cilësinë e krahut të punës dhe në këtë aspekt, pagat nuk bëjnë asnjë dallim, përkundrazi, nuk është çështja sa do të paguhet forca e punës, çështja është sa cilësore do të jetë forca e punës dhe ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë të rejat dhe të rinjtë që janë të investuar në dije në fushën e teknologjisë”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!