Deputeti i Partisë Socialiste Etjen Xhafaj komentoi në emisionin “Real Story” në ABC marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët, duke u shprehur se kjo marrëveshje nuk ka pse të jetë shqetësuese për vendin tonë dhe se nuk ka aspak shkelje.
Gjatë bisedës në studio ai theksoi se Italia do të jetë ajo që do të merret me sigurinë e brendshme, ndërsa tha se do të ketë edhe pika kontrolli nga policia shqiptare. Më tej ritheksoi se në asnjë rast nuk do të ketë më shumë se 3 mijë persona që do të mbërrijnë në muaj.
“Do të kemi dy pika, njëra do të jetë qendra e pranimit, porti ku këta vijnë dhe kalohet. Do të bëhen verifikime se kush janë personat. Në asnjë rast nuk do të jenë më shumë se 3 mijë. Për sigurinë e brendshme, kujdesin shëndetësor, ushqimin është përgjegjëse Italia. Shteti shqiptar do të ketë bazën e vet. Siguria e brendshme nuk do të merret përsipër nga ne, por nga Italia. Do të ketë pika kontrolli nga policia shqiptare”, tha ndër të tjera deputeti Xhafaj./abcnews.al/