Ministri i Jashtëm grek njofotoi se shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje me Shqipërinë për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull. Kotzias gjithashtu përmendi se në këtë paketë me 10 çështje, përfshihen kufijtë dhe zonat detare.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, gjatë një vizite në Norvegji ka komentuar zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit. Duke folur për principet e politikës së jashtme helene, ai foli edhe për negociatat me Shqipërinë dhe u shpreh shumë optimist për një zgjidhje të mundshme.
Nikos Kotzias, ministër i Jashtëm i Greqisë: “Përmes kësaj politike të jashtme proaktive, ne jemi shumë afër zgjidhjes së problemeve të vjetra për dekada me Shqipërinë. Shumë shpejt, besoj, do të përfundojmë me sukses negociatat për paketën me 10 çështje. Kjo paketë, përfshin dhe përcaktimin e kufijve dhe zonat detare”.
Kotzias nga Oslo në forumin e Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Norvegjisë për akademikët e politikanët e vendit foli edhe për rolin lider të Greqisë në rajon. Gjithashtu tha se diplomacia greke është “paqësore, dinamike, inteligjente dhe e dialogut”.
Sa i përket marrëveshjes për emrin me Maqedoninë, Kotzias njoftoi se ky akord nuk ka ardhur nga presioni ndërkombëtar. Shefi i diplomacisë greke nënvizoi se çështjet e mbetura pezull me Tiranën dhe Shkupin kanë penguar zhvillimin e marrëdhënieve mes palëve./abcnews.al