Marrëveshja me Kishën Serbe e lë Abazoviç pa mbështetjen e DPS, Gegaj: Kërcënoi interesat shtetërore të Malit të Zi

schedule20:32 - 15 Korrik, 2022

schedule 20:32 - 15 Korrik, 2022

Marrëveshja me kishën serbe bëri që DPS-në e Milo Gjukanoviçit t’i hiqte mbështetjen Dritan Abazoviçit, dhe për Nikollë Gegajn nga kjo parti në Malin e Zi, ende nuk dihet se çfarë rruge do të marrë kjo krizë e radhës politike në vendin fqinj.

Në një lidhje direkte me emisionin “Ballkan” në ABC, Gegaj tha se, DPS ka vlerësuar se me marrëveshjen e bërë me Kishën Serbe janë kërcënuar interesat e kishës së Malit të Zi. Sipas tij, qeveria aktuale ka ndryshuar kursin e saj fillestar,  për të cilin u ra dakord fillimisht.

“Përsëri Mali i Zi është i ballafaquar me probleme të natyrës politike, si ato të viteve të fundit. Në DPS mendojnë se marrëveshja me Kishën Serbe kërcënoi interesat e kishës së malit të zi. Qeveria ka ndryshuar kursin fillestar të saj me të cilin ramë dakord. Braktisin detyrën prioritare të përmbushjes së detyrime nga agjenda e integrimit evropian dhe me një nguti të papërgjegjshme, pa konsultuar publikun profesional dhe kompetent bëri një marrëveshje me kishën serbe duke shkaktuar dëm të pallogaritshëm, interesave shtetërore të Malit të Zi.”

Po ashtu, Nikollë Gegaj tregon se tre janë skenarët që mund të ndodhin në vijim në Malin e Zi deri në zgjidhjen e situatës.

“I pari ka të bëjë me mosbesimin e kësaj qeverie dhe të vijmë deri te formimi i një qeverie tjetër që do ta përkrahin sërish ish-aleatët e Abazovic, opsioni pro serb dhe pro rus, së bashku me demokratët e Malit të Zi që i kryeson ish-kryepralamentari. Skenari i dytë është që qeveria të përkrahet pa formim të një qeverie të re, nga këto subjekte politike. Meqenëse kanë një emërues të përbashkët, ajo që i lidh është Kisha Ortodokse Serbe. Skenari i tretë i mundshëm , është që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, bashkë me lokalet më 23 tetor.”

Ndërsa pranoi se mes Gjukanoviçit dhe Abazoviçit negociata ka pasur dhe me shumë mundësi do të ketë, Gegaj e pranoi se të treja opsionet janë në tavolinë, por se cili do të zgjidhet kjo nuk mund të parashikohet.  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!