Marrëveshja e pensioneve Shqipëri-Itali firmoset të martën/ Rama: Përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë

schedule08:14 - 6 Shkurt, 2024

schedule 08:14 - 6 Shkurt, 2024

ROMË- Shqipëria dhe Italia do të nënshkruajnë këtë të martë dokumentin përfundimtar të marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore.

Kryeministri Edi Rama, me një shënim në faqen zyrtare në “Facebook”, shkruan se nga kjo marrëveshje përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë, dhe shumë italianë në vendin tonë.

“Mirëmëngjesi dhe me lajmin e mirë që sot firmoset dokumenti përfundimtar i marrëveshjes së shumëpritur për njohjen reciproke të Sigurimeve Shoqërore në Romë, ku mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italianë në Shqipëri janë përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje, ju uroj një ditë të mbarë”-shkruan Rama.

Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu.

Marrëveshja reciproke bashkon vitet e kontributeve në të dyja vendet dhe qytetari merr dy pensione të ndryshme në të dyja shtetet.

Marrëveshja për dokumentin final do të nënshkruhet në Romë nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani dhe homologu i tij italian Antonio Tajani./ n.m.abcnews.al