Marrëveshja e Manafort, ekspertët ligjorë: Stimul për hetimet mbi ndërhyrjen ruse

schedule21:51 - 15 Shtator, 2018

schedule 21:51 - 15 Shtator, 2018

Ekspertët ligjorë në Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se marrëveshja e ish-këshilltarit të Trump me drejtësinë mund të shërbejë si stimul për hetimin mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale. Kjo, pasi Pol Manafort ka qenë në dijeni të kontakteve të Trump.

Marrëveshja për pranimin e fajit që ish-shefi i stafit elektoral të Trump, Pol Manafort bëri me hetuesit e çështjes “Russiagate” tregon se ai mund të hedhë dritë mbi një sërë pyetjesh që kanë mbetur pa përgjigje në lidhje me fushatën e vitit 2016. Kështu deklarojnë ekspertë ligjorë amerikanë, sipas të cilëve Manafort mund ta vërë në një provë të fortë presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe mohimin e vazhdueshëm që ai ka bërë sa i takon lidhjeve me Rusinë. Randall Eliason, ish-prokuror federal dhe profesor i juridikut në Universitetin Xhorxh Uashington thotë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se marrëveshja sugjeron se prokurori i posaçëm Robert Mueller e ka vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin e Manafort. Edhe ish-prokurori tjetër, Seth Uoksman është i mendimit se hetuesit mund të kërkojnë nga Manafort informacion nëse stafi i Trump i ofroi diçka në këmbim Rusisë për ndihmën gjatë fushatës. “Marrëveshja e Manafort mund të nxisë gjithashtu subjekte të tjera të hetimit të Mueller që të bashkëpunojnë, duke shkaktuar një ortek të vërtetë”, thotë Uoksman. Ekspertë të tjerë vlerësojnë ndërkohë se nëse Trump dhe këshilltarët e tij i kërkuan me vetëdije ndihmë Rusisë, atëherë përveç rregullave të fushatës ata mund të kenë shkelur atë statut që kriminalizon komplotet që shkaktojnë keqfunksionimin e qeverisë amerikane. Rudi Xhuliani, ish-prokurori federal që aktualisht përfaqëson Trump në hetimin mbi ndërhyrjen ruse, deklaroi të premten për “Reuters” se Manafort nuk di asgjë që mund të dëmtojë figurën e presidentit. “Dhe marrëveshja që ka bërë e provon më së miri këtë”, deklaroi Xhuliani. abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!